Kush e zgjodhi Ivanovin?


Shkruan: Robert Nesimi

Kohët e fundit në skenën politike vështirë se gjendet figurë më tragji-komike se kryetari Ivanov. Si një Don Kishot i vërtetë ai ka nisur ndonjë mision të tijin të shenjtë, ku lufton me armiq imagjinarë për të mbrojtur vendin ashtu siç e paramendon ai dhe pa kuptuar se kanë ardhur kohëra të reja ku nuk ka më vend për truqet e tij antike. Dhe në këtë avanturë të tij të fundit ai vazhdimisht tejkalon ingerencat dhe then Kushtetutën për të ndalur proceset pas së cilëve tanimë qëndron shumica e qytetarëve të Maqedonisë. Komik ndërkaq është fakti që ai nuk kupton se është vetëm “tigër letre”, siç ka qenë çdoherë. Tetë vitet e para në pushtet ai merrte fuqi nga VMRO dhe ishte marionetë e plotë e saj, ndërsa me kalimin e VMRO-së në opozitë ai nuk ka më kurgjë në duar. Muajt e ardhshëm ai mund të vonojë, por jo të stopojë rrugën euroatlantike të vendit.

Sido që të jetë Maqedonia padyshim do të ishte në pozicion më të mirë dhe do t’i kishte kaluar më mirë do pengesa sikur të kishte kryetar më të aftë, me vizion më të qartë për të ardhmen e vendit. Kohët e fundit po flitet edhe për impiçment të tij, hap ky i drejtë po të kemi parasysyh gjithë shkeljet që ka bërë duke kryer detyrat e veta. Por para se të lëshohemi në kombinatorika të tilla politike është koha të rikujtohemi se si erdhi ai në këtë pozitë, edhe atë dy herë me rradhë. Duket se është harruar se kjo i shkoi për dore vetëm falë ndihmës së ca grupacioneve që sot janë më të zëshmet për shkarkimin e tij.

Ivanov u zgjodh për herë të parë në vitin 2009. Atëherë në pushtet sapo kishte ardhur koalicioni VMRO-BDI, ndërsa zgjedhjet presidenciale u mbajtën bashkë me ato lokale. Si partnerë koalicioni VMRO dhe BDI vendosën të mbështesin njëra tjetrën në rrethin e dytë të lokaleve. Nga ana tjetër kandidati i BDI, Agron Buxhaku, ra në rrethin e parë dhe BDI e kishtë rrugën e hapur për të mbështetur Ivanovin në rrethin e dytë. Mobilizimi i votuesve ishte i lehtë, sepse të njëjtën ditë votohej në rreth të dytë për kryetarë komunash. Duke patur parasysh dobësinë e SDSM, Ivanov shënoi fitore të lehtë. Pra në mandatin e parë ai u zgjodh falë votave të VMRO dhe BDI, ndërsa mbështetja që morri nga BDI ishte plotësisht publike.

Në vitin 2014, kur Ivanov u zgjodh për herë të dytë, punët ishin ku e ku më të komplikuara. Pas sundimit të gjatë VMRO-BDI, tek elektorati i BDI veçmë ndihej lodhje nga pozicioni nënshtrues i partisë ndaj VMRO-së dhe nuk ishte aspak e sigurtë se ata do të përkrahnin Ivanovin. Edhe po të merrnin urdhër të tillë nga partia, kishte rrezik serioz që ata të dalin në votime por të rrethojnë kandidatin e opozitës Pendarovski. Por me votuesit shqiptarë në apati, pa ndonjë interes të theksuar për zgjedhje presidenciale, rëndësi kyçe fitonte SDSM. Ajo mund të luante me bojkot dhe në rrethana të tilla nuk kishte aspak gjasa që të arrihet cenzusi i nevojshëm prej 40%.

Në këtë situatë koalicioni VMRO-BDI në vitin 2014 e kishte të domosdoshme të gjejë mënyrë që votuesit të motivohen të dalin në zgjedhje, por të pengohen qytetarët shqiptarë që të mos votojnë Pendarovskin. Ishte pra koha që partnerët e koalicionit të inskenojnë ndonjë mosmarrëveshje ose konflikt, siç bënin shpesh kur ju duhej rrugëdalje nga ndonjë situatë e paparashikuar. Kështu disa muaj para zgjedhjeve, në fillim të vitit 2014, BDI doli me kërkesë për kryetar konsensual. VMRO refuzoi menjëherë këtë kërkesë, e kështu kinse ndodhi krizë në koalicionin qeveritar. Dhe natyrisht për të dalur nga “kriza” duheshin zgjedhje të reja parlamentare, që menjëherë plotësuan disa nevoja të VMRO dhe BDI.

Zgjedhjet parlamentare u caktuan bashkë me ato presidenciale, edhe atë me rrethin e dytë të tyre. Dhe mu ky element shpalos plotësisht skenarin e përgatitur që më parë. Nëse BDI vërtetë donte kryetar konsensual dhe ishte e sinqertë në kampanjën për bojkot, ajo nuk do të pranonte zgjedhje të parakohshme parlamentare ose do të kërkonte që ato të mbahen në rrethin e parë të presidencialeve, siç do të ishte më e logjikshme. Por në atë rast do të vihej në rrezik cenzusi 40% dhe kanosja për bojkot do të ishte shumë reale. Ndërsa duke mbajtur zgjedhjet parlamentare në rrethin e dytë të presidencialeve këto probleme tejkaloheshin lehtë. Kampanja e BDI për bojkot atëherë jepte efektin e saj të vërtetë, pra të pengojë shqiptarët mos votojnë Pendarovskin pa rrezikuar cenzusin 40% që i duhej Ivanovit. Kështu Ivanov lehtë korri fitore të dytë, përsëri me ndihmën e VMRO dhe BDI, ndërsa të dyja partitë e shfrytëzuan mirë konfliktin imagjjinar rreth “kryetarit konsensual” për të përfituar në zgjedhjet parlamentare. Natyrisht konflikti u zhduk menjëherë sapo mbaruan zgjedhjet, ndërsa ditë më pas të dy partitë përsëri bënë koalicion të përbashkët qeveritar.

Prandaj pas shkeljes së rradhës së Ivanovit, kur përsëri do të flitet për impiçment të tij, nuk duhet harruar se si erdhi ky njeri në pozicion aq të lartë. Para së gjithash ai është produkt dhe ndër mbetjet e fundit të koalicionit të regjimit VMRO-BDI.