Kush do të jetë pasaardhësi i Gruevskit?


Disa media maqedonase kanë akuzuar se lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski me dorëheqjen e tij po planifikon që të vendos në krye të partisë një lider kukull.

Javorja “Fokus” ka shkruar se nga burime jozyrtare partiake është caktuar që kongresi të mbahet më 23 dhjetor dhe se në krye të partisë do të vjen Nikolla Popovski, ish-ministri i jashtëm dhe deputeti aktual i VMRO-DPMNE. Por në lojë është edhe sekretari gjeneral Hristijan Mickovski, informon INA.

Në disa portale që thirren në burime të VMRO-DPMNE theksohet se Popovski është kandidati më serioz, i cili është i pranueshëm edhe për bazën e kësaj partie, por edhe një person i pranueshëm tek komuniteti ndërkombëtarë dhe tek bashkësitë e tjera etnike.

Nënkryetarë të kësaj partie përfliten disa emra, por pretendentë kryesor do të jenë: Vllatko Gjorçev, Antonio Milloshoski, Nikolla Todorov dhe Hristijan Mickovski. Në lojë është edhe Filip Petrovski.

Portali “Dokaz” ka shkruar se Gruevski ka planifikuar që të vendosin lider kukull, i cili do të mbrojë interesat e tyre dhe se do të shfrytëzohet si mbrojtje për të mos shkuar në burg. Po ashtu ky lider i ri do të jetë njeriu i cili do të bëj pazaret për referendumin për emrin dhe për çështje të tjera, vetëm e vetëm për të shpëtuar disa nga kokat kyçe të VMRO-DPMNE nga aktakuzat e ngritura.