Kurti kërkon dorëheqjen e Haradinajt


Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë së Kosovës dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, pasi, sipas saj, Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj, është duke shkaktuar vetëm dëme për qytetarët e vendit. Ka reaguar Kryeministri Haradinaj duke e quajtur Kurtin të papunë dhe si i tillë po nxit tema.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në tryezën e partive politike, që ka organizuar kjo parti përmendi 16 arsyet që Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj duhet të rrëzohet. Haradinaj duhet të japë dorëheqje pasi në krye të Qeverisë ai ka bërë vetëm veprime të dëmshme, ka potencuar ai.

Kryeministri, Ramush Haradinaj në një konferencë për media ka komentuar deklarimet e kreut të VV-së, Albin Kurtit se Qeveria duhet të rrëzohet. Ai tha se Kurti është i papunë dhe si i tillë po nxit tema

Në tryezën e thirrur nga VV partitë pjesëmarrëse janë pajtuar që për një qeverisje legale janë të nevojshme zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që do të mbaheshin në një moment të përshtatshëm. Sipas deklaratës, kryeministri nuk mund të marrë vendime e të vazhdoj qeverisjen dhe për këtë kërkohet që në Kuvend të vihet në votëbesim Qeveria dhe qeverisja e Kryeministrit.