Kundërthënie në mes të Zoran Zaevit dhe Talat Xhaferit për Ligjin për përdorimin e gjuhëve


Kryeministri Zoran Zaev citohet të ketë thënë se në partinë e tij nuk ka deputet që janë kundër gjuhës shqipe.

Në bashkëbisedim me gazetarët, Zaev thotë se nuk janë të vërteta zërat për gjoja kërcënime nga kreu i opozitës maqedonase, për bojkot të Kuvendit, nëse votohet Ligji për përdorimin e gjuhëve, pa debat për amandamentet.

Sipas tij, krizë në shumicën parlamentare nuk ka, dhe se seanca e djeshme është anuluar sepse nuk ka patur kuorum.

Kjo deklaratë bie ndeshë me atë që thotë kryekuvendari Talat Xhaferi, sipas të cilit, deputetë të LSDM-së janë kundër votimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve./Telegrafi/