Kumucakos: Demokracia e Re do të prononcohet për emrin pasi Qeveria të ndërtojë qëndrim të përbashkët


Qeveria greke së pari duhet të konsolidohet, të dalë me qëndrim të vetëm për zgjidhjen e mundshme të çështjes së emrit dhe ky do të jetë vetëm fillimi, sepse Demokracia e Re atëherë do të fillojë të bëjë vlerësim dhe nëse vlerëson se qëndrimi nuk është i mirë, gjithsesi ekziston mundësia për ta refuzuar, tha deputeti i Demokracisë së Re, Jorgos Kumucakos.

“Negociatat për kontestin me emrin i filluam në atmosferë shumë të mirë pas ndryshimit të pushtetit në Shkup. Ndërkohë, në Greqi derisa zhvillohen negociatat ka përçarje në Qeveri lidhur me qëndrimin për zgjidhje të mundshme të kontestit, i cili është një nga çështjet kryesore të politikës së jashtme të vendit”, tha Kumucakos.

Kujtoi se Demokracia e Re ka qëndrim të qartë për këtë çështje që nga viti 2008, i cili është shfaqur para aleatëve në NATO dhe para partnerëve të BE-së.

Kumucakos theksoi se as perspektiva euroatlantike, e as evropiane e vendit fqinj nuk mund të realizohet pa e zgjidhur çështjen e emrit në mënyrë që është e pranueshme për të dy palët.

“Demokracia e Re së pari do të ndjek si po lëvizin punët në Qeveri, e cila duhet të miratojë një qëndrim të vetëm, që do të pranohet nga të gjithë në përbërjen e saj dhe i cili do të ketë mbështetje nga e tërë shumica parlamentare”, thotë Kumucakos.

Thekson se kjo do të jetë vetëm bazë për diskutim të mëtejshëm.

“Kur të arrihet kjo, do të vlerësojmë nëse kjo zgjidhje është e mirë, nëse bëhet fjalë për zgjidhje serioze për një çështje tejet serioze. Nëse zgjidhja nuk është e mirë, nuk do ta pranojmë”, theksoi deputeti i Demokracisë së Re, i cili në partinë opozitare është i angazhuar për politikë të jashtme.