Kumanovari me diplomë të rreme është punësuar në DSK


Padi penale janë parashtruar kundër disa personave nga një institucion privat të arsimit sipëror në vend për ç’arsye i kanë mundësuar 33 vjeçarit M.B nga Kumanova të marrë diplomë në mënyrë të kundërligjshme, gjegjësisht pa i dhënë provimet. Padi penale është parashtruar edhe kundër tij, sepse ai me diplomë të rreme është punësuar dhe avancuar në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.

SPB Kumanovë parashtroi padi penale kundër M.B (33) nga Kumanova, drejtorit të përgjithshëm të Institutit Ndërkombëtar Sllav “Gavrillo Romanoviç Derzhavin” Shën Nikollë, B.S (36), rektorit të Institutit D.N (71) nga Probishtip, kundër Institutit si person juridik dhe kundër V.M.N (59), e punësuar në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit si këshilltar – inspektor shtetëror i arsimit.

Kundër të gjithëve janë parashtruar padi penale për vepra të ndryshme në tërë procesin e marrjes ilegale të diplomës nga ana e kumanovarit M.B. Ai dyshohet se ka kryer një vepër penale “përdorim i dokumentit me përmbajtje të pavërtetë”.

Drejtori i përgjithshëm B.S dhe rektorit D.N dhe institucionit arsimor dyshohen për dy vepra të kryera penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit” dhe “Falsifikim i dokumentit.

Inspektorja e arsimit V.M.N dyshohet për vepër të kryer penale “punë e pandërgjegjshme në detyrë”.