Kukan: Maqedonia e Veriut mund të marrë datë për negociata në vjeshtë


 Maqedonia e Veriut mund të marrë datë për negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vjeshtë, ndërsa ky skenar është më pak real për Shqipërinë, deklaroi ish-eurodeputeti Eduard Kukan, i cili kryesoi me Grupin e punës për Ballkanin Perëndimor gjatë mandatit të tij.

Në një intervistë për Asociacionin sllovak për politikë të jashtme (SFPA), Kukan sqaroi se Maqedonia e Veriut me vite i ka realizuar kriteret për anëtarësim në BE, por Unioni e ka shtyrë hapjen e negociatave

“Maqedonisë së Veriut i duhet t’i ndahet datë konkrete në Samitin Evropian në vjeshtë, që unë e konsideroj për real”, thotë Kukan, duke shtuar se përderisa presidenti francez Emanuel Makron ka pasur qëndrim shumë kategorik  për këtë çështje, si duket ka filluar të lëshojë pe.

Nga ana tjetër, duke theksuar se Tirana pret një hap të tillë, Kukan beson se situata në Shqipëri është krejt ndryshe.

“Ata duhet të implementojnë reforma të mëdha gjyqësore, opozita e bojkoton Parlamentin dhe mbi të gjitha, shqiptarët nuk mund të gjejnë kompromis”, theksoi Kukan.

Sipas tij, joreale është tani për tani që Shqipëria të marrë datë për negociata.