KSHZ: Fillon kontrolli publik i listës zgjedhore


KSHZ nuk ka mekanizëm për t’i hequr votuesit fiktiv nga lista e votuesve. Siç u arsyetuan në konferencën e sotme për media, MPB-ja është ajo që i lëshon letërnjoftimet dhe KSHZ-ja vetëm i merr të dhënat që ia dorëzojnë institucionet relevante që kanë të dhëna për qytetarët. Zëdhënësja e KSHZ-së Lupka Guguçevska shpjegoi se secili që dyshon në ndonjë parregullsi në listë, mund të denoncojë në zyrat e KSHZ-së  por duke u prezantuar me letërnjoftim ose pasaportë valide, dhe kjo shkaktoi huti tek gazetarët që i pyetën zëdhënësit, se si do të vijnë fantomët që të denoncojnë veten personalisht.

Lupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së

“KSHZ e përplion Listën zgjedhore me të dhëna që i merr nga instutucionet  kompetente siç janë Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra për menaxhimin e librave amë dhe gjykatat themelore në Maqedoni. Nga këto të dhëna shtetasit e Maqedonisë të cilët kanë letërnjoftim ose pasaportë, kanë 18 vite dhe adresën e fundit të banimit e kanë të regjistruar në Maqedoni, mund të regjistrohen në Listën Zgjedhore. Pikërisht për këtë gjë bëhet fjalë pasi që këtyre personave iu janë dhënë letërnjoftime me këto adresa, prandaj i kemi regjistruar në Listën Zgjedhore me ato adresa që janë”

Në biseda shtesë me gazetarët, zëdhënësit shpjeguan se mekanizmi i vetëm i fshirjes së votuesve fiktiv nga lista zgjedhore është që të denoncohen në MPB, por gjasat që ky mekanizëm të funksionojë për kohë aq të shkurtër,  janë shumë të ulëta.

KSHZ ja njoftoi se prej sot është hapur lista zgjedhore në të cilën qytetarët do të mund të bëjnë kontroll nëse kanë të drejtë vote në Referendumin e shtatorit. Sipas regjistrimit të fundit dhe pastrimit të listës zgjedhore, Maqedonia ka 1 milion e 805 mijë e 707 votues.

Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së

“Pas mbarimit të kontrollit publik të listës zgjedhore, e më së voni deri më 7 shtator, KSHZ e përmbyll listën dhe aty do të inkorporohen të gjithë ndryshimet që do të burojnë nga kontrolli. Kontrolli publik i listës zgjedhore, nëpër zyrat rajonale apo njësitë rajonale të KSHZ-së, mund të kryhet çdo ditë nga ora 9 e mëngjesit deri në ora 19:00 ndërsa me datë 23 gusht, këtë kontroll qytetarët do të mund ta kryejnë deri në orën 24:00”.

Prej sot ka filluar edhe paraqitja e gurbetçarëve për votim. Deri më tani në ueb faqen e KSHZ-së për votim janë paraqitur 19 gurbetçarë. Votimi në diasporë do të bëhet më 29 shtator, një ditë para votimit për referendum në Maqedoni. Vendvotimet do të hapen në përfaqësi diplomatike dhe konzulare ku ka të paktën dhjetë paraqitje për votim.

KSHZ gjithashtu informoi se qytetarët që nuk duan tu figuron adresa e vendbanimit në ueb faqe, për shkaqe sigurie, mund të bëjnë kërkesë në KSHZ për një gjë të tillë./Shenja/