Kryetari i Qytetit të Shkupit Shilegov u takua me kryebashkiakun e Tiranës Veliaj


Kryetari i Qytetit të Shkupit Shilegov u takua me kryebashkiakun e Tiranës Veliaj

Shkup, 9 dhjetor 2017 (MIA) – Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov në kuadër të vizitës në Tiranë realizoi takim me kryebashkiakun, Erion Veliaj.

Në takim, siç informoi Qyteti i Shkupit, është biseduar për thellimin e bashkëpunimit midis dy qyteteve të vëllazëruara dhe për këmbimin e përvojave në interes të qytetarëve.

“Kemi biseduar për thellimin e bashkëpunimit midis dy qyteteve dhe këmbimin e përvojave lidhur me problemet e ngjashme të cilat i kanë Shkupi dhe Tirana. Të gjitha përvojat e dobishme dhe projektet e realizuara të Tiranës mund të jenë të mira dhe të dobishme për qytetarët e Shkupit. Besoj se edhe përvojat tona të kësaj periudhe të shkurtër mund të jenë të dobishme për qytetarët e Tiranës”, ka deklaruar Shilegov.

Kryebashkiaku Veliaj ka theksuar se kryeministrat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë kanë hapur kapitull të ri të bashkëpunimit midis dy shteteve dhe ka shtuar se këtë klimë pozitive duhet ta shfrytëzojnë edhe kryeqytetet e të dyja shteteve.

Shilegov merr pjesë në konferencën rajonale dyditore, që mbahet në Tiranë me temë “Qytete pa korrupsion”.