Kryeministri Zaev është pritur me ceremoni zyrtare nga kryeministri i Turqisë, Binalli Jëlldërëm


Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev është pritur me ceremoni zyrtare nga kryeministri i Turqisë, Binalli Jëlldërëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e pritjes u mbajt në rezidencën Çankaya në Ankara ndërsa filloi me intonimin e himneve të të dyja vendeve. Kryeministri Zaev më pas përshëndeti gardën e nderit.

Pas prezantimit të delegacioneve të të dyja vendeve, Zaev dhe Jëlldërëm kaluan në takimin kokë më kokë dhe atë mes delegacioneve.

Gjatë ditës, kryeministri Zaev është paraparë të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Turqisë, Ismail Kahraman dhe me presidentin e shtetit, Rexhep Taip Erdogan.

Zaev, vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë e filloi mbrëmë me fjalim para përfaqësuesve të TOBB, Lidhja e odave ekonomike dhe bursave të Republikës së Turqisë. Ai theksoi se ekzistojnë mundësi për avancimin e bashkëpunimit ekonomik midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë. Gjithashtu theksoi se qëllimi ynë është për disa vite tregtia me Turqinë të jetë një miliardë euro.

Siç kumtoi shërbimi qeveritar për media, Zaev në vizitën zyrtare është i shoqëruar nga ministri pa portofol i obliguar për investime të huaja, Adnan Qahil, deputetët në Kuvendin e RM-së, Enes Ibrahimi dhe Jusuf Hasan dhe sekretarin shtetëror në MPJ, Viktor Dimovskin.