Kryeministri grek Cipras: Greqia për herë të parë me vendosmëri dëshiron zgjidhje për emrin

Për herë të parë Greqia me kaq vendosmëri përpiqet që ta zgjidh çështjen e emrit Maqedoni – Greqi dhe të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, kështu është shprehur sot kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras pas takimit me kryetarin e Komisionit të Evropës, Zhan Klod Junker, njofton Portalb.mk.

“Duke u përpjekur e themi këtë, se për herë të parë, me vendosmëri dëshirojmë të gjejmë zgjidhje të pranueshme për çështjen e emrit me ish republikën jugosllovene të Maqedonisë me garancinë se kjo çështje do të ketë zgjidhje përfundimtare”, tha Cipras.

Kryeministri i Greqisë Cipras ka folur edhe për rolin e Greqisë në Bashkimin Evropian dhe rajon duke thënë se Greqia duhet të luajë rol vendimtar që BE-ja të arrijë të ndërtojë rolin e saj për paqe, stabilitet dhe siguri në rajon.

Ndërkaq dje, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev në lidhje me mundësinë e mosgjetjes së zgjidhjes së çështjes së emrit Maqedoni – Greqi tha se: “Nëse nuk kemi sukses me shumë gjasë nuk do të kemi ardhmëri evropiane. Atëherë do të duhet Evropën ta sjellim në Shkup. Nuk shoh diçka tjetër se si. Nëse nuk ka zgjidhje, çështja do të mbetet e hapur dhe do të provojmë pas tre muajve, apo gjashtë muajve dhe sërish ta kërkojmë zgjidhjen”.

Për procesin e emrit, dje në Vjenë është realizuar edhe takim ndërmjet treshëses negociatore, ndërmjetësi nga OKB, Methju Nimic, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe homologu i tij grek, Nikos Koxias.

Takimi nuk solli ndonjë vendim konkret.