Kryeministri dhe ministrat përgjigjen në pyetjet e deputetëve


Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do ta mbajë seancën e 23-të në të cilën në rend dite janë parashtrimi i pyetjeve të deputetëve.

Kryeministri Zoran Zaev dhe ministrat për herë të parë pas formimit të Qeverisë së re do të përgjigjen në pyetjet e deputetëve.  Seancën për parashtrimin e pyetjeve të deputetëve, Parlamenti fillon ta mbajë pas 100 ditëve nga formimi i Qeverisë, por për shkak të zgjedhjeve lokale, ajo u shty. Seanca, sipas Rregullores, mbahet çdo të enjten e fundit të muajit, por këtë herë është zhvendosur për të premten, duke e pasur parasysh seancën e sotme të përbashkët të qeverive të Maqedonisë dhe të Bullgarisë në Strumicë.

Orarin e parashtrimit të pyetjeve të deputetëve e konfirmon kryetari i Kuvendit në marrëveshje me koordinatorët e grupeve parlamentare, në mënyrë e cila do të sigurojë raport dy ndaj një në dobi të deputetëve nga grupet e deputetëve në opozitë dhe të deputetëve në opozitë të cilët nuk janë të organizuar në grupe të deputetëve.  Seanca e fundit për parashtrimin e pyetjeve të deputetëve është mbajtur më 29 shtator të vitit 2016, pak para shpërndarjes së përbërjes së kaluar të Parlamentit për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në dhjetor, pas çka u formua Qeveria e re.

Në pyetjet përgjigjeshin ish kryeministri Emil Dimitriev dhe ministrat nga Qeveria e VMRO-DPMNE-së.  Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi për sot i caktoi vazhdimet e seancës së 8-të, në të cilën duhet të debatohet për zëvendës të sekretarit të përgjithshëm dhe seancën e 12-të në të cilën janë dy ligjet e tjera të opozitës.  Është caktuar edhe mbledhja e komisionit juridiko-ligjdhënës.