Krisma dhe panik në qendër të Shkupit


Mbrëmë rreth orë 22, në kazinon që ndodhet në bulevardin “Aradhat partizane” (Партизански Одреди), në afërsi të kryqëzimit mes qendrës tregtare “Leptokaria” dhe poliklinikës “Bukuresht”, ka ndodhur një vjedhje e rëndë e kazinos “Astra”, transmeton Tetova News sipas portalit Infomaks.

Sipas informacioneve paraprake, në kazino u futën dy persona të veshur me rroba të bardha dhe me maska në fytyrë, kurse të dy ishin të armatosur me pushkë automatike “Kallashnikov”.

Vjedhja ndodhi me shpejtësi të rrufeshme, kurse gjatë plaçkitjes, sipas informacioneve të pakonfirmuara, njëri nga sulmuesit gjuajti dy plumba në tavanin e kazinos. Sulmi, sipas sigurimit privat zgjati rreth 20 sekonda.

Pasi i morën paratë, u futën në makinën që i priste dhe u larguan në drejtim të panjohur.

Nga MPB për Infomaks e konfirmuan ngjarjen dhe informuan se policia po punon për zbardhjen e rastit, kurse në vendngjarje ishin bërë hetimet e nevojshme.