Kotevski mbetet drejtor i burgut të Shutkës, Qeveria do ta shqyrtojë dorëheqjen pas zgjedhjeve presidenciale


Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 123-të e konstatoi dorëheqjen e drejtorit të Burgut hetues në Shuto Orizarë, Gjoko Kotevski, por do ta shqyrtojë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale.

“Duke pasur parasysh atë që dorëheqja është parashtruar në periudhë pasi që janë shpallur zgjedhjet presidenciale, e njejta do të shqyrtohet pas përfundimit të zgjedhjeve, sapo të përfundojë ndalesa për shkarkime dhe emërime në pajtim me Kodin zgjedhor”, ceket në kumtesën nga shërbimi qeveritar për shtyp.

Kotevski dje e parashtroi dorëheqjen në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas ngjarjeve të cilat rezultuan me incidente fizike në burg më datën 21 të këtij muaji, në të cilat u sulmuan ish-ministrat e paraburgosur, Spire Ristovski dhe Mile Janakieski.

“Krahas përgjegjësisë së ndërmarrë nga aspekti profesional dhe moral, drejtori përgatiti raport për ngjarjet në burg më 21 shkurt me ç’rast u konstatuan lëshime dhe shkelje të protokolleve për punë nga ana e shërbimit për sigurim”, ceket në kumtesën nga Burgu hetues “Shkup”.

Si rezultat i lëshimeve, siç është cekur, ishte mundësuar incidenti i parë verbal dhe fizik, e më vonë nuk ishte parandaluar incidenti i dytë verbal dhe fizik, edhe pse kanë ekzistuar mundësi për parandalim.

Krahas dorëheqjes së drejtorit, në pajtim me rezultatet e konstatuara në raport, janë ngritur procedura disi9plinore për persona të involvuar të cilët i shkelën protokollet për punë.

Raporti i është parashtruar Drejtorisë për ekzekutim të sanksioneve, Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për veprim të mëtutjeshëm.