Kostov: Gjendja shëndetësore e të lënduarve nuk është përkeqësuar


Nuk ka përkeqësim të gjendjes të disa prej të lënduarve në fatkeqësinë e djeshme të autobusit në autostradën Shkup-Tetovë, të cilët janë të vendosur në Spitalin e përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori”, deklaroi sot pasdite drejtori i atij institucioni shëndetësor, Hristian Kostov.

Theksoi se dy të lënduarit të cilët janë në gjendje kritike, janë meshkuj të moshës mes 40 deri 50 vjeç dhe kanë lëndime në tru, gjakderdhje intracerebrale dhe janë nën kontroll të neurokirurgut.

“Tani për tani janë në gjendje stabile. Si do të zhvillohet pasqyra klinike nuk e dimë, do të tregojë koha. Pacienti më i ri në moshën 15 vjeçare është operuar dhe është në gjendje të mirë”, theksoi dr. Kostov.

Potencoi se nga 28 pacientë të përkujdesur në SPQ “8 Shtatori”, gjashtë janë lëshuar sot për mjekim shtëpiak.

“Nga 22 pacientët e tjerë, pesë janë në Repartin për mjekim intensiv, dy të cilët janë në gjendje kritike janë në ventilim mekanik, ndërsa tre të tjerët janë operuar dhe janë në gjendje të mirë të përgjithshme. Tek disa nga 17 pacientët e tjerë të cilët ndodhen nëpër reparte të tjera po bëhen hulumtime plotësuese, ndërsa tek disa prej tyre me thyerje do t’u bëhet intervenimi. Tre të cilët janë operuar në zgavrën e barkut janë në gjendje të mirë të përgjithshme”, tha dr. Kostov.

Theksoi se familjet e të lënduarve po marrin informata adekuate për gjendjen e tyre dhe tashmë është organizuar edhe vizita tek të lënduarit të karakterit më të lehtë.

Paraprakisht, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe deklaroi se në Qendrën klinike po mjekohen tetë pacientë, katër prej të cilëve janë në Klinikën për anestezion, reanimacion dhe mjekim intensiv, nga një pacient ndodhet në klinikat për traumatologji, neurokirurgji, kirurgji torakale, ndërsa një grua shtatzënë po mjekohet në Klinikën për gjinekologji dhe është në gjendje të mirë të përgjithshme. Shtoi se katër pacientë të cilët janë vendosur në Klinikën për anestezion, reanimacion dhe mjekim intensiv janë në gjendje të rëndë.