Kosova i përgjigjet “taksës së Kalimashit”: Do të vendosim edhe ne tarifën tonë

Kosova pritet të vendosë së shpejti një taksë të vetën në segmentin përtej kufirit të “Rrugës së Kombit”.

Lajmi bëhet i ditur nga zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës.

“Pas vendimit të Qeverisë së Shqipërisë që “Rruga e Kombit” tani e tutje të shfrytëzohet me pagesë, 5 euro për një drejtim, si dhe 5 euro në drejtim tjetër, një gjë të tillë po e paralajmërojnë edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Sipas këtyre të fundit, shumë shpejt pritet të vendoset taksa për shfrytëzimin e autostradës së Kosovës”, shkruan e përditshmja “Zëri”.

Kjo taksë mund të konsiderohet një kundërpërgjigje e qeverisë së Prishtinës ndaj asaj të Tiranës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson që taksa e vendosur për ‘Rrugën e Kombit’ është e lartë dhe mund të ndikojë në lëvizjen e qytetarëve në të dyja vendet”, thuhet në përgjigjet e zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës dhënë gazetës “Zëri”.

Një ditë më parë, ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Pal Lekaj, shprehu pakënaqësinë jo vetëm për taksën e lartë, por edhe për mungesën e informimit nga pala shqiptare. /a.a/ Albanian Free Press Online/