Korrupsioni i burgjeve në Maqedoni, telefon me internet për 600, pa internet deri në 200 euro


Telefon celularë me internet, i vjetër kushton 600-700 euro, celular pa internet vetëm për t’u lajmëruar, kushton 200 euro, televizor 32 inçë 500-600 euro, dyshek i përdorur 1.000 denarë, frigorifer i vogël 200 euro…këto janë një pjesë e çmimeve në burgun e Idrizovës për punë të ndaluara deri te të cilat vijnë të burgosurit.

Ekipimi i pamjaftueshëm kadrovik i nëpunësve të burgjeve, mostrajnimi i tyre dhe statusi i keq materialo-financiar, joprofesionaliteti i shprehur përmes përdorimit tej mase të forcës dhe dukurive të korrupsionit janë një pjesë e arsyeve për trajtimin johuman dhe jopërkatës të personave të dënuar, sipas Raportit në hije për Kapitullin 23 për periudhën maj 2016 – janar 2018, të përpiluar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut të RM-së dhe Institutit për Politika Evropiane.

Edhe Stejt Departamenti në raportin e tij për të drejtat e njeriut për vendin mes tjerash si më kritike e notoi çështjen për torturë nga rojet e burgjeve.

Ekspertët thonë se në burgjet e Maqedonisë nuk sundojnë ligjet e Maqedonisë, por ligjet e burgjeve, ndërsa korrupsioni i cili jo vetëm që është i paligjshëm, por i shkel edhe të drejtat e njeriut të të burgosurve në institucionet ndëshkuese-përmirësuese në vend.

Në tentim të kuptojmë më shumë pse ekziston korrupsioni në burgjet, ekipi i gazetarëve të MIA-s në storjen e dytë kushtuar kushteve në të cilat funksionojnë burgjet e Maqedonisë ka biseduar me policinë e burgut dhe të burgosurit në Idrizovë dhe Shutkë, me ç’rast pothuajse morëm deklarata identike.

Biznesi me celularë më i pagueshëm në INP Idrizovë

Telefona celularë, vizitë te mjeku i burgut dhe dentisti, frigorifer janë disa nga shërbimet të cilat të burgosurit nga Shutka dhe Idrizova na thanë se mund t’i marrin në burg me çmime të caktuara.

Në bisedën për MIA-n thonë se korrupsioni muajt e kaluar është ulur, por nuk është çrrënjosur tërësisht. Megjithatë ende disa volitshmëri mund t’i arrin për çmim të caktuar nga të punësuarit në burg.

Situata me korrupsionin në të kaluarën ka qenë shumë më e keqe, vlerësojnë ata.

Njëri nga të burgosurit me të cilët ekipi i MIA-s ka biseduar në Idrizovë, atje është katër muaj. Vuan dënimin për mashtrime financiare dhe vjedhje të rënda.

Pohon ka kryer “shërbime” për të punësuarit në MPB, prej të cilëve disa kanë qenë në funksione të larta gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së. Ka hapur kompani fiktive, në të cilat është evidentuar si drejtor dhe vetë e ka vendosur nënshkrimin e tij për aktivitetet në firma, të cilat janë hapur legalisht, por mënyra në të cilën ka punuar ka dalë jashtë kornizave të ligjit.

Thotë se sjellja e mirë nuk vlerësohet vërtetë. Kuadrot më të larta të burgut, thotë vlerësojnë, por rojtarët e burgut jo.

“Nuk ta marrin telefonin celular, por për këtë u ke borxh mëngjes, drekë, darkë, kafe, lëng. Mos dhëntë zoti të të ndodhtë të kërkojnë limon, banane, kivi ndërsa të mos kesh”, thekson bashkëbiseduesi ynë.

“Në pjesën e mbyllur është shumë vështirë. Disa prej të burgosurve nuk u lejohet vizitë nëse nuk e qerasin ndonjërin prej të punësuarve në shërbimin e burgut. Bëhet fjalë për shumë prej 500, një mijë denarë”, sqaron ai.

Paraprakisht MIA gjatë bisedës me persona të cilët tashmë e kanë vuajtur dënimin me burg kuptoi se për çfarëdo shërbimi në burg, policët e burgut kanë vendosur dorën në gjoks dhe kanë thënë “pesëqind herë të kam thënë se …” ose ” Një mijë herë të thash se ….”

Bashkëbiseduesi ynë nga Idrizova thotë se tani kjo më nuk ndodh.

“Ata që kërkuan shuma të mëdha më nuk janë këtu, jo se tani nuk ka të tillë të cilët kërkojnë, por nuk janë si ata paraprakisht, të të vendosin në kushte më të këqija, që të çojnë t’u japish ryshfet”, shton ai.

Thotë në repartin e mbyllur nëse të dhemb dhëmbi duhet të qerasësh ndonjë shef policie që të të dërgojnë në dentist. Çmimi është prej pesëqind deri në një mijë denarë të të dërgojnë nga dera në derë. Të burgosurve para ju dërgojnë familjarët. Bashkëbiseduesi ynë thotë se mundet në muaj të marrish dy herë nga pesë mijë denarë dhe ato të ruhen në arkën e burgut.

Biznes i madh në burgje janë telefonat celularë. Një i burgosur nuk mund të posedojë telefon celular, por shumica kanë.

“Kjo është send që nuk mund të fshihet, nëse dëshiron udhëheqësia e burgut menjëherë do të kap. Me siguri kanë njeri që përfiton nga kjo. Një telefon i zakontë që mund të shërbejë vetëm për biseda telefonike kushton të paktën tetë mijë denarë, thotë ai dhe shton se çmimi mund të arrij edhe deri në 200 euro.

Kur arrijnë telefonat ata ndahen, pastaj mund të konfiskohen nga shërbimet e burgut, të cilat më pas sërish i shesin, tregon ai.

Dy herë në muaj familjet dërgojnë paketa me ushqim. Vetë përgatit, sepse siç thotë nuk është i kënaqur nga ushqimi i burgut. Në meny kanë peshk, groshë, oriz, ushqim, i cili konsumohet edhe jashtë, por thotë se problemi është dorëzimi.

– Ushqimi lihet në rrugë, nga kuzhina derisa sa të bartet nëpër reparte, lihet në kuti kartoni në tokë dhe duhet dikush ta marrë. Në burg janë një numër i madh i maceve dhe ndonjëherë ndodh ato ta provojnë ushqimin para të burgosurve. Ndoshta ushqimi nuk është aq i keq aq sa është e keqe dërgesa dhe kushtet johigjienike, rrëfen ai.

Për këtë të burgosurit përgatisin vetë. Ka stufë dhe frigorifer. Frigoriferin e ka paguar dhjetë mijë denarë. Thotë se frigoriferin e njëjtë mund t’ia marrin dhe më pas ta shesin në një pjesë tjetër të burgut.

Autoritetet e burgut nuk e mohojnë korrupsionin, por janë duke ndërmarrë gjithçka që ta çrrënjosin atë.

Zëvendëskomandanti në Indrizovë, Aluk Sali, i cili është i punësuar në burg rreth 11 vjet thotë se atje ka pasur policë të korruptuar dhe se këto raste janë zgjidhur me burgim.

Ka kolegë, thotë ai, që vuajnë dënimin me burg, kolegë të cilët janë në hetim për të cilët ekziston dyshimi se janë duke bërë krim.

“Ka raste të korrupsionit, por këto raste zgjidhen. Ka kolegë të cilët janë në burg për raste të tilla, kolegë të cilët janë në hetim, për të cilët ekziston dyshimi se janë duke bërë krim. Situatën e ndjekim dhe nëse mësojmë diçka ose na tregojnë me siguri reagojmë”, thotë ai.

Thekson se megjithatë korrupsioni nuk është në nivelin në të cilin plasohet në opinion. “Por se ka shumë, është vetëm shpifje e personave të gjykuar të cilët nuk janë të kënaqur prej disa kushteve në burg”, tha Sali.

Mbi dhjetë roja janë larguar nga puna për shkak të korrupsionit, theksoi në bisedë për MIA-n zëvendësdrejtori i Idrizovës, Femi Jonuzi.

Katër deri në pesë prej tyre janë duke e vuajtur dënimin me burg për korrupsion, ndërsa njëri, siç mësoi MIA gjatë vizitës në burgun e Shutkës, dënimin është duke e vuajtur në këtë institucion ndëshkues-përmirësues.

Mohojnë se shitja e drogës kalon përmes të punësuarve në burg dhe thonë se kjo ndodh përmes paketave, të cilat u dërgohen të burgosurve, ndonjëherë droga hidhet përtej murit të burgut.

Administrata e Burgut të Shutkës thotë se me sukses është duke u ballafaquar me korrupsionin midis nëpunësve policorë, thotë reagojnë në kohë për çdo rast të dyshimtë.

Mundësia që të burgosurit t’u japin ryshfet të punësuarve në burgun e Shutkës për t’i fituar disa privilegje të caktuara, sipas administratës së burgut është reduktuar në minimum.

Në Burgun e Shutkës janë 103 policë me uniforma të cilët kujdesen për sigurinë.