Kontribute më të larta për fondet pensionale


Zgjidhjen për Fondin pensional, siç mësohet jozyrtarisht, Qeveria do ta gjejë në rritjen e përqindjes së kontributeve nga 18 në 20%.

Me pagesën e këtyre 2% shtesë të kontributeve pritet që për 8 vite, ose në vitin 2025, participimi buxhetor për Fondin pensional të jetë vetëm 4,2% nga Buxheti. Sa për krahasim, sivjet në FSPI janë transferuar 453 milionë euro, ose 13,7% të Buxhetit. Sipas simulimeve të profesorit universitar, Mirolub Shukarov, me rritjen e kufirit për dalje në pension, nuk do të stabilizohet Fondi. Përderisa, një pjesë e ekspertëve rekomandojnë ose kthimin e kontributeve të sigurimit pensional në 20% të rrogës, ose rritje më të dukshme të pagave, të tjerët konsiderojnë se masa e këtillë do ta shtrenjtojë fuqinë punëtore, ndërsa investitorët do të përmbahen nga punësimet e reja.

Hajredini shprehet se stabilizimi i këtij fondi nuk do të bëhet lehtë. Konsideron se FMN-ja ka të drejtë kur kërkon që Qeveria ta stabilizojë këtë institucion, por të mos rritet deficiti dhe borxhi publik. Sipas tij, është koha që Qeveria të dalë me qëndrim konkret dhe zgjidhje të mundshme për tejkalimin e problemit. Ministrja Mila Carovska, për Alsat M, thotë se paralelisht me analizën dhe revizionin në FSPI, po përgatitet mënyrë e re që paratë në shtyllën e dytë dhe të tretë private, në vend se FSPI-ja, t’i transferojë DAP-i. Nëse nuk stabilizohet arka e fondit nga FMN-ja paralajmëruan se në afat më të gjatë, apo deri në vitin 2030, paratë që do të ndahen nga Buxheti do të jenë thuajse një e treta e buxhetit, ose sipas shifrave aktuale, mbi një miliardë euro. Ndryshe, për momentin në vend ka 307 mijë pensionistë, ndërsa mesatarisht numri i tyre në vit rritet për 3500-4500 pensionistë.