Konstruktivitet nga BDI-ja, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja në takimet me Stoltenbergun

Përfaqësuesit e BDI-së, LSDM-së dhe të VMRO-DPMNE-së si konstruktive dhe të përmbajtjesore e vlerësuan takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai i ka porositur se dyert e NATO-s për Maqedoninë janë të hapura nëse zgjidhet problemi me emrin, por ka potencuar se Maqedonia është ajo e cila duhet t’i sjellë vendimet.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit theksoi se kanë biseduar për çështje thelbësore të rëndësishme për rajonin, por edhe për Republikën e Maqedonisë dhe për anëtarësimin e saj në NATO si faktor i stabilitetit jo vetëm në vend, por edhe më gjerë në rajon.

Maqedonia duhet të gjejë zgjidhje për kontestin me Greqinë rreth emrit, i përcolli Stoltenberg Ahmetit, por ka thënë se u mbetet të dyja palëve se si do të vijnë drejt zgjidhjes.

Ai Stoltenbergut i ka bartur edhe se është falënderues ndaj NATO-s, Aleancës, e cila siç tha, ka rol historik në shpëtimin e Maqedonisë para 13 vitesh, gjatë konfliktit ushtarak.

Koordinatori i LSDM-së, Tomisllav Tuntev, deklaroi se edhe bisedimet edhe fjalimi edhe mesazhet të cilat i ka dërguar Stoltenberg janë sinjal se Maqedonia është në rrugë të drejtë, duke i njohur dhe duke i mbështetur proceset reformuese.

Ai tha, është stimul për reformat e mëtejme, për punën e zhvillimit të marrëdhënieve të mira fqinje dhe për bashkëpunimin rajonal.

Opozita, potencoi Tuntev, duhet ta kuptojë mesazhin e ri se në këto procese duhet të kyçet në mënyrë aktive t’i mbështesë reformat të cilat e çojnë vendin drejt integrimeve euroatlantike.

Takim me Stoltenbergun në Kuvendin e Maqedonisë pati edhe delegacioni i VMRO-DPMNE-së i kryesuar nga kryetari Kristian Mickoski, të cilin koordinatori i grupit të deputetëve, Vllatko Gjorçev e vlerësoi si takim konstruktiv dhe të frytshëm.

Edhe ai theksoi se Stoltenberg ka shprehur interesim rreth çështjes për zgjidhjen e kontestit për emrin si kusht për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Por, siç tha, përveç asaj që ka shfaqur shpresë se do të gjendet zgjidhje dhe se dyert e Aleancës janë të hapura për Maqedoninë, siç potencoi Gjorçev, Stoltenberg ka theksuar se vendimet për zgjidhjen duhet t’i sjellë Maqedonia dhe duhet të tregojë se çfarë është e pranueshme dhe çfarë jo.

Nga VMRO-DPMNE njoftuan se VMRO – DPMNE mbetet e përkushtuar në përcaktimin strategjik të Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe e kanë përkujtuar se kjo parti është e para e cila publikisht është angazhuar që Maqedonia të jetë pjesë e Aleancës.

I kanë informuar edhe për gjendjet politike në vend, për, siç tha, përndjekjen e vazhdueshme të opozitës dhe burgosjen e deputetëve, artistëve, nëpunësve kuvendorë dhe se çdo ditë ndodh përndjekja e opozitës.