Kongresi amerikan miraton ligjin që ndalon daljen e SHBA-ve nga NATO


Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara e ka miratuar me shumicë dërrmuese të votave një ligj që konfirmon mbështetjen e Kongresit për NATO-n. Votimi u bë pas shqetësimeve në rritje lidhur me angazhimin e presidentit Donald Trump, në aleancën 29 anëtarëshe, raporton REL.

Ligji që u miratua me 357 vota për dhe 22 kundër, pohon se është politikë e SHBA-së të mbetet pjesë e aleancës ndërkaq ndalon përdorimin e fondeve për t’u tërhequr nga Aleanca Veriatlantike.

Përveç konfirmimit të kontrollit të Kongresit mbi paratë, ligji rikonfirmon mbështetjen e SHBA-së ndaj NATO-s dhe klauzolën e saj të mbrojtjes së ndërsjellë.

Ligji shpreh gjithashtu mbështetje për Malin e Zi, si anëtarin më të ri të NATO-s, për financimin e “fuqishëm” të SHBA-së për Iniciativën Evropiane të Ndalimit si dhe afirmon qëllimin që secili anëtar i Aleancës të shpenzojë së paku 2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto në mbrojtje deri në vitin 2024.

Vetëm disa orë para votimit, ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Wess Mitchell, diplomati i lartë i SHBA-së në Evropë dhe një përkrahës i hapur i NATO-s, paraqiti dorëheqjen e tij në një periudhë të lidhjeve të tensionuara në marrëdhëniet transatlantike.

Gazeta “New York Times” duke cituar burime të qeverisë federale, kohë më parë raportoi se presidenti amerikan Trump, vitin e kaluar, ka paraqitur idenë e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga NATO-ja, një veprim ky që do të shkatërronte në mënyrë efektive Aleancën e cila shënon 70 vjetorin e themelimit të saj në prill të këtij viti.

“Aleanca e NATO-s është qendrore për sigurinë amerikane dhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në mbarë botën”, tha udhëheqësi i shumicës në Kongres, Steni Hoyer në një deklaratë përpara votimit më 22 janar.

Largimi i Mitchell do të jetë efektiv nga 15 shkurti. Ai shërbeu në këtë detyrë për pak më shumë se një vit. Elisabeth Millard, një nëpunëse publike e karrierës, do të marrë përsipër detyrën në një kapacitet të përkohshëm.

Reuters raporton se Mitchell paraqiti letrën e tij të dorëheqjes tek Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo më 4 janar. Në letër ai e arsyeton dorëheqjen me faktin se ka përmbushur qëllimet e tij në punë dhe se donte të shpenzonte më shumë kohë me familjen e tij.

Nuk kishte asnjë shenjë të qartë se Mitchell, një ish-analist politik në Evropën Qendrore dhe Lindore, po jepte dorëheqjen në shenjë proteste ndaj politikave të administratës së presidentit amerikan Donald Trump.

dministrata amerikane ka humbur vazhdimisht zyrtarë të lartë që kur presidenti Trump mori detyrën dy vjet më parë. Jim Mattis dha dorëheqjen në fund të vitit të kaluar si sekretar i mbrojtjes, pas mosmarrëveshjeve të fuqishme rreth politikës në raport me Sirinë të presidentit Donald Trump.