Konfliktet e Greqisë me vendet fqinje, Tsipras: Ne nuk kërcënojmë askënd, por nuk kemi frikë nga askush


Kryeministri grek Alexis Tsipras është shprehur i gatshëm të zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet me Shqipërinë, pa cenuar interesat kombëtare të Greqisë.

Kryeministri Alexis Tsipras foli sot në mbledhjen e kabinetit.

Duke iu kthyer çështjeve të politikës së jashtme, kryeministri tha se vendi duhet të gjejë një mënyrë për të zgjidhur dallimet me Shqipërinë e Maqedoninë fqinje pa u tërhequr nga pozicionet kombëtare, si dhe në menaxhimin e agresivitetit turk.

“Dështimi më i madh kombëtar në këtë kohë do të ishte të tregonim veten të paaftë për të menaxhuar provokimin turk dhe tensionin e rritur nga fqinjët tanë”,  tha Tsipras, duke kërkuar sa më tepër unitet e qetësi në Greqi.

Në të njëjtën kohë, ai siguroi popullin grek se “Greqia është një vend i fortë dhe i sigurt me aleanca dhe fondacione të forta ndërkombëtare”.

“Ne nuk po kërcënojmë askënd, por nuk kemi frikë nga askush, dhe u bëjmë thirrje fqinjëve tanë të lënë mënjanë retorikën e përshkallëzuar që çon në ngërç,” tha ai.

Tsipras i kërkoi Turqisë të ndalë sulmet dhe të veprojë sa më shpejt që të jetë e mundur, duke treguar vullnet të mirë, për të shpejtuar rikthimin e dy ushtarëve grekë që po mbahen në Turqi.

“Duke pasur parasysh se Turqia është në një gjendje tensioni, ne kemi ende një arsye tjetër për të kërkuar të mbyllim në sa më shumë fronte në politikën tonë të jashtme, në mënyrë që të mos mbetemi kryeqytet diplomatik dhe politik”, tha Tsipras. “Për këtë qëllim, Greqia duhet të vazhdojë në të njëjtin drejtim, duke u përpjekur të zgjidhë çështjet në kufijtë e saj veriorë me Shqipërinë dhe IRJM-në (Maqedoninë), por pa u tërhequr nga pozicionet tona kombëtare dhe me një ndjenjë të përgjegjësisë kombëtare.”

Ai tha se Greqia, si një forcë stabiliteti dhe demokracie në rajon, duhet të luajë një rol udhëheqës në këtë përpjekje që siguron një mjedis të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë.

Ai shtoi se qeveria e tij po diskuton një plan zhvillimor strategjik pas programit për Greqinë me institucionet nga të cilat do të dalin kriteret kryesore për mbikëqyrjen e ekonomisë greke, si dhe çështjen e lehtësimit të borxhit grek.

Kryeministri grek pritet që së shpejti të vizitojë Tiranën për të mbyllur edhe disa nga mosmarrëveshjet me Shqipërinë, pas bisedimeve dypalëshe që po zhvillohen nga ministrat e jashtëm të dy vendeve tona, Bushati e Kotzias.