Komunat për stolisjen e tyre për Vitin e Ri kanë shpenzuar 30 për qind më shumë se vitin e kaluar


Autoritetet lokale për stolisjen e komunave për pritjen e Vitit të Ri 2019 i kanë harxhuar rreth 615 mijë euro, që është për 30 për qind më shumë se vitin e kaluar, tregon analiza e bërë nga Qendra për komunikime qytetare.

Për dallim prej vitit 2017 kur rrugët dhe sheshet për Vitin e Ri i kanë stolisur Qyteti i Shkupit dhe 18 komuna me vlerë të përgjithshme prej 474 mijë euro për pritjen e vitit të ri 2019 tenderë për stolisje kanë zbatuar 26 komuna dhe Qyteti i Shkupit.

Rreth 55 për qind e parave për stolisjen për Vitin e Ri janë harxhuar në Shkup edhe atë nga komunat Karposh, Aerodrom, Çair, Gazi Babë, Butel dhe Shuto Orizare. Vetëm Qyteti i Shkupit i ka harxhuar rreth 260 mijë euro, që është për 33 për qind më shumë nga viti 2017.

Sipas të dhënave të analizës, pjesa më e madhe e parave kanë përfunduar në kompaninë e Shkupit “Link Media Plus”, që për dy kontrata të dakorduara me Qytetin e Shkupit dhe me Komunën e Strumicës i ka marrë mbi 300 mijë euro, ndërsa më së shumti marrëveshje, gjithsej 11 me vlerë të përgjithshme prej 185 mijë euro, janë dakorduar nga kompania “Metal-Vet-El” nga Shkupi. Kontrata me “Metal-Vet-El” kanë kontraktuar Komuna e Aerodromit, Ohrit, Kumanovës, Çairit, Radovishit dhe e Gjevgjelisë.

Në përllogaritjen e shpenzimeve për stolisjen për festat e fundvitit janë përfshirë tenderë të 27 njësive të vetëqeverisjes lokale.

Baza e të dhënave jep shqyrtimin e shpenzimeve për stolisjen për festat e fundvitit në periudhë prej katër vitesh dhe mundëson krahasim nëse një komunë e caktuar e ka rritur apo zvogëluar këtë shpenzim. Baza e të dhënave është pjesë e dhjetë hulumtimeve të parapara dhe bazave të të dhënave për shpenzimin e parave publike të cilat do të realizohen në kuadër të projektit “Shpenzimi publik për të mira publike”, i mbështetur nga Projekti i USAID-it për pjesëmarrje qytetare. Qëllimi është të rritet efektiviteti i shpenzimit publik përmes zvogëlimit të korrupsionit dhe rritjes së transparencës.