Komuna e Dibrës me makinë luksoze, Lata: Makina do të përdoret për nevojat e Komunës


Komuna e Dibrës ka blerë makinë të re me vlerë 50.000 euro. Bëhet fjalë për xhip “Volksëagen Tiguan 2.0 TDI” që komuna do të paguajë për pesë vite.

Makina është furnizuar nga Shoqata për Lizing “Porshe lizing” dooel Shkup.

Sipas marrëveshjes së publikuar, Komuna e blen veturën me pagesë të shtyrë, me lizing në afat prej 60 muajsh, shkruan Portalb.mk

Kryetari i Komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata, i cili për momentin është në udhëtim zyrtar, shkurt për Nova TV tha se vetura ka qenë e domosdoshme për shkak të terrenit në Dibër, ndërsa vetura e vjetër që e kanë kthyer ka qenë e vjetruar.

“Vetura është marrë me të gjithë rregullat ligjore dhe është e domosdoshme për komunën. Atë veturë nuk do ta vozis unë, por do duhet për nevojat e komunës. E dini si është terreni në Dibër”, tha Lata.

I pyetur se si e justifikon nevojën e blerjes së veturës, kryetari tha se nuk pret që të ketë reagime sepse banorët e Dibrës e dinë se si ka qenë e vjetra.

Ndryshe, Ruzhdi Lata është kryetar i Dibrës nga viti 2013, ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale, në tetor të vitit të kaluar e fitoi mandatin e dytë duke e mundur kundërshtarin e tij nga Aleanca e Shqiptarëve, Arben Agolli.