Komiteti i Helsinkit dhe “Legis”: MPB të kyçet në hetimin e trafikantëve të migrantëve

Grupet për trafikimin e refugjatëve sërish veprojnë në fshatrat përreth qendrave të pranimit të refugjatëve në Gjevgjeli dhe Tabanoc dhe u ndihmojnë atyre ilegalisht të dalin jashtë vendit.
Edhe pse për momentin këtu ndodhen rreth 30 refugjatë, Komiteti i Helsinkit dhe sektori civil janë shqetësuar se shpeshherë ata po zhduken nga qendrat në drejtim të panjohur.
Ëndërr e çdonjërit prej tyre sapo shkel tokën e Maqedonisë është të kontaktojnë me trafikuesit dhe të deportohen ilegalisht në Europë. Komiteti i Helsinkit dhe Shoqata humanitare “Legis”, kërkon urgjentisht që MPB të kyçet në hetime.
“MPB duhet të jetë me e përgatitur dhe t’i monitorojë vendet ku ka informacione se janë paraqitur dhe veprojnë grupe për trafikimin e refugjatëve. Ne në kontinuitet po i informojmë organet policore se refugjatët te ne shpeshherë po zhduken nga kampet e pranimit dhe kjo gjë duhet hetuar”- tha Urania Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.
“Problem real janë refugjatët të cilët ende po transitojnë përmes territorit të vendit dhe që nuk evidentohen askund. Ata nuk kanë mbrojtje dhe siguri nga shteti dhe me njëfarë mënyre ata llogariten si fantazma”,- u shpreh Jasmin Rexhep nga Sh. H. “Legis”.
Kjo çështje u aktualizua edhe në tavolinën e përbashkët të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe UNHCR-së. Ata thonë se rritja e numrit të refugjatëve në Greqi mund sërish të shkaktojë krizë të re të refugjatëve në vendet përgjatë rutës ballkanike.
“Këtë vit ka pasur mbi 14. 200 kalime ilegale të refugjatëve, që mesatarisht në ditë i bie që 50 persona ilegalisht kanë lëvizur. Tani, për dallim nga vitet e kaluara, kemi refugjatë me profile të ndryshme. 19% e tyre janë burra, të vetmuar dhe pa familje, që po i shfrytëzojnë të gjitha kanalet e migrimit ilegal për të shkuar në destinacionin e tyre të preferuar, në Europë”,- theksoi Dag Siugurdson nga UNHCR.
Kapacitetet e pranimit në qendrat përkatëse në Gjevgjeli dhe Tabanoc janë me rreth 1.000 refugjatë, ndërsa konkluzioni i përgjithshëm i autoriteteve për ta është se Maqedonia ofron kushte të mira për pranim.