Kërkohet Kandidat i përbashkët për president, lihen mundësi edhe për opsione të tjera

Vazhdojnë konsultimet e kryeministrit dhe liderit të LSDM-së Zoran Zaev me përfaqësuesit e partive politike për gjetjen e kandidatit të pranueshëm për qytetarët e të gjitha përkatësive etnike dhe shtresave shoqërore. Për atë qëllim, ai dje kishte takim me kryetarin e lëvizjes opozitare Besa, ndërsa ditëve kaluara edhe me liderët e PDSH-së, Alternativës dhe BDI-së.

Zaev theksoi se nga Besa, si parti opozitare, kanë lënë mundësinë edhe për kandidat të përbashkët, edhe për dalje të pavarur në zgjedhje, që e konfirmoi edhe kryetari i partisë Bilall Kasami, i cili theksoi se për ata si parti mbetet e hapur mundësia për zgjedhje të kandidatit të përbashkët me ç’rast më i rëndësishëm është personi që do të propozohet, mirëpo edhe se do të shqyrtojnë më shumë opsione.

Për t’u gjetur dhe përputhur ky kandidat konsensual Zaev më parë kishte edhe bisedime të veçanta me liderët e tre partive shqiptare – Ali Ahmeti i BDI-së, Menduh Thaçi i PDSH-së dhe Afrim Gashi i Alternativës siç është emëruar krahu shkupjan i Besës.

Pas takimit me kryetarin e BDI-së Ali Ahmetin, Zaev theksoi se angazhimet ndoshta do të kenë sukses, e ndoshta edhe jo, mirëpo ia vlen të bëhet përpjekje. Ai shtoi se së shpejti do të jepen më shumë detaje rreth kandidatëve të mundshëm të LSDM-së, duke potencuar se nga dhjetë që përmenden në opinion pesë janë favoritë. Ahmeti në deklaratë theksoi se duhet të sillen vendime në dobi të shtetit, shumicës së qytetarëve dhe të partive.

Zaev takimet i vazhdoi edhe me Menduh Thaçin e PDSh-së dhe Afrim Gashin e Alternativës, të cilët e mbështesin idenë për president sipas masës së të gjithë qytetarëve. Gashi tha se për ata do të ishte më e pranueshme kandidati për president të jetë person mbipartiak i cili politikisht ka qenë i kujdesshëm në të kaluarën, nuk ka dhënë, siç tha deklarata “famëkeqe”, nuk ka qenë me prirje negative ndaj asnjë përkatësie.

Thaçi nga ana tjetër, konsideron se do të ishte mirë të nominohet kandidat i Qeverisë, që sipas tij, do të thotë vazhdim i politikës së normalizimit të gjendjes së shtetit për shkak se na presin detyra të rëndësishme – hapja e negociatave për integrim në BE dhe ratifikimi i anëtarësimit tonë në NATO.

Kongresi i LSDM-së është caktuar për më 3 mars dhe atëherë do të duhet të sillet vendimi për kandidat për presidentin e shtetit. Shpallja partiake e LSDM-së për paraqitjen e kandidatëve për president të shtetit mbaroi, ndërsa zyrtarisht është e njohur vetëm kandidatura e ambasadorit të mëparshëm Gjorgji Filipov.

Në zgjedhjet e gjashta presidenciale të caktuara për më 21 prill VMRO-DPMNE do të marrë pjesë me profesoreshën Gordana Siljanovska-Davkova e cila të shtunën ishte zgjedhur me shumicë votash në konventën në Strugë.

Filip Petrovski, i cili ishte midis dy kandidatëve të partisë opozitare dhe nuk mori mbështetje për nominim, dje paralajmëroi se do t’i mbledhë 10 mijë nënshkrime për kandidaturën në zgjedhjet presidenciale.