KE: Deklarata e Ramës joadekuate


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës sugjeroi që Kosova dhe Shqipëria të kenë një President të përbashkët.

Në pyetjen e gazetarëve për zëdhënësen për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Evropian, Kethrin Rej, nëse ka ndonjë koment Komisioni për mundësinë e ndryshimit të kufijve në Ballkan, u përgjigj se deklarata e Ramës është joadekuate.

“Deklarata që mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinje nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes fqinjëve. Bashkimi Evropian pret që në të gjithë rajonin të vijojë ndërtimi i marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunuese mes vendeve, si dhe të intensifikohet puna me programet përkatëse të reformave, për të avancuar më tej në rrugën e integrimit evropian”, deklaroi zëdhënësja.

Rej ritheksoi qëndrimin e Brukselit sa i takon të ardhmes së Ballkanit Perëndimor.

“BE ka mbështetur vazhdimisht pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Këshilli Evropian ka theksuar mbështetjen pa ekuivoke për perspektivën e qartë evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndaj ne do të vijojmë të punojmë me këto vende”, vijoi ajo.