Katragulos: Riemërimet janë hapa të mohimit të irredentizmit


Riemërimet e aeroportit dhe autostradës janë hapa të mohimit të irredentizmit, thotë ministri alternativ grek i Punëve të Jashtme, Jorgos Katragulos në intervistën për programin e parë të radios shtetërore greke.

Gazetarja reagoi se nuk mund të jetë mohim, sepse “irredentizmi ekziston edhe në Kushtetutë”, ndaj çka Jorgos Katragulos sqaroi se njëjtë si edhe në të kaluarën Greqia ka reaguar negativisht ndaj hapit irredentist, kështu tani reagon pozitivisht ndaj hapave kundër irredentizmit.

“Në nivel simbolik, siç protestuam, dhe bëmë mirë, kur i vendosën përmendoret e Aleksandrit të Madh si shembuj për irredentizëm, tani kur shohim sjelle komplet të kundërt, kur i mënjanojnë këto gjëra që konsiderohen si simbol i irredentizmit, është normale që këtë ta përshëndesim me duartrokitje. Ai është hap i kundërt simbolik, se tashmë nuk e kontestojnë karakterin grek të Maqedonisë”, thotë Katragulos në intervistë.

Për deklaratën e djeshme të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev se ekziston gatishmëri për emër me përcaktim gjeografik, MPJ alternativ i Greqisë thotë se ky është hap mjaft i rëndësishëm drejt kompromisit.

“Meqë zotëri Zaev deklaroi se pranon emër të përbërë, mbulon një pjesë të madhe të rrugës për kompromis të drejtë, sepse ai është pozicioni grek, siç ishte formuar në vitin 2007, ndërkaq zotëri Gruevski dhe kryesia nacionaliste e vendit fqinj, gjatë dekadës së kaluar e hodhi poshtë dhe prandaj ky është një hap mjaft i rëndësishëm”, komentoi Katragulos.

Lidhur me mundësinë për t’u arritur zgjidhje, thotë se ekziston dritare e mundësive, por pa qenë i sigurt se do të arrihet marrëveshja.

“Ende jemi larg nga ajo të themi se do të ekzistojë marrëveshje. Por, ekzistojnë pika pozitive që na bëjnë të jemi të optimistë të përmbajtur se do të mund të arrijmë deri te zgjidhja përfundimtare që do të jetë me dobi të ndërsjellë”, shton Katragulos.