Kasami: Nuk ka dy Lëvizje BESA por një


Bilall Kasami sot në një konferencë për shtyp para gazetarëve deklaroi se nuk ka dy lëvizje Besa dhe se do të kandidojë përsëri si kryetar.

“Mund të konkludoj, se nuk ka dy Lëvizje BESA por një, dhe ajo do të funksionojnë në bazë të vendimeve të marra më 6 janar në Tetovë. Ftoj të gjithë anëtarët që e konsiderojnë veten si pjesëtarë të Lëvizjes BESA të vazhdojnë me garën. Unë do të kandidoj si kryetar, por kjo nuk do të thotë se unë do të bëhen kryetar, sepse kjo do të varet nga strukturat e partisë dhe delegatët”, tha Kasami.

Kasami deklaroi se është në kontak me kryeministrin Zoran Zaev dhe se për sot me të është caktuar takim në Qeveri në ora 18.

“Jam në komunikim të rregullt me kryeministrin, takimi është caktuar për sot në ora 18 dhe lidhet me reformat, ku BESA do të sheh se çka mund të kontribuojë për procesin reformues të vendit. Pra takimi nuk është thirrur për ndonjë qëllim tjetër”, ka thënë Kasami.

Kasami më tej foli edhe për hyrjen në selinë e Lëvizjes Besa në Shkup të cilën e vlerësoi si jo të dhunshme.

“Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të situatës së pakëndshme që po krijon huti në publik dhe brenda strukturave të partisë. Më 22 dhjetor është dërguar ftesë të anëtarët e kryesisë janë ftuar më 6 janar në selinë e partisë në Tetovë. Në mbledhje kanë qenë të pranishëm shumica e anëtarësisë së Kryesisë Qendrore dhe ku u sollën vendimet për mbajtjen e kongresit të parë të partisë dhe deri atëherë unë të ngelem kryetar partie”.