Kanceri midis Shkupit, ja ku gjendet deponia e frikshme

Në ish-Jugosllavi, “Ohis” ishte prodhuesi më i madh i detergjenteve dhe pesticideve të ndryshme. Sot, përveç që kjo fabrikë nuk mban më lavdinë e dikurshme, ajo Brenda oborrit të saj ka të groposura mbi 15 mijë ton lëndë kimike, mes të cilave edhe “Lindan”, të cilat ndotin ajrin, tokën dhe ujërat nëntokësorë të Shkupit”, transmeton TV21.

Lindani është një lëndë kimike që është përdorur si insekticid dhe ka qenë i dobishëm në kohën kur është përdorur, thotë profesori i kimisë Trajçe Stafillov. I nxjerrë jashtë përdorimit në vitet ‘70, lindani i fabrikës “Ohis”, u gropos në oborrin e kësaj fabrike në Kisella Vodë. Sot kjo përbën pikën më të nxehtë ekologjike në Maqedoni.

Duke qenë se deponia me mbetje kimike nuk është e izoluar mirë, gjatë rreshjeve atmosferike ose erërave, lëndët e groposura ndotin ajrin dhe ujërat nëntokësore të Shkupit.

I financuar nga Fondi Global Ekologjik dhe Qeveria e Maqedonisë, në vitin 2015 është miratuar një projekti për të bërë kërkime për zgjidhjet e mundshme për këtë problem ekologjik.

Në vitin 2009, lindani është futur në listën e ndotësve organikë konstant (Persistent Organic Pollutants), ndërsa 6 vite më vonë është shpallur si lëndë kancerogjene nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në Maqedoni përveç “Ohisit” si pika më e nxehtë ekologjike, gjithashtu ekzistojnë edhe 15 pika të tjera në qytetet të ndryshme të vendit, që vazhdimisht ndotin mjedisin tonë jetësor.