Kamenos kundër zgjidhjes së kontestit, e cila do të përmbajë fjalën “Maqedoni”

Ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos, i cili është lider i ANEL, partnerit kryesor të koalicionit në qeverinë e Aleksis Ciprasit, sot e përsëriti qëndrimin e tij se i kundërshtohet zgjidhjes së kontestit për emrin që do ta përmbajë fjalën Maqedoni dhe nuk do të përkrahë zgjidhje të tillë eventuale në parlamentin grek.

“Pozita jonë mbetet që të jemi kundër përdorimit të shprehjes ‘Maqedoni'”, deklaroi Kamenos. Ai i bëri thirrje Prokopis Pavlopulosit që të mbledhë të gjithë liderët e partive politike që të diskutojnë për kontestin për emrin me Maqedoninë”, njoftoi Katimerini.

Në konferencën e sotme për shtyp, Kamenos shtoi se qëndrimi i tij nuk duhet të kuptohet si kritikë e ministrit të punëve të jashtme Nikos Koxijas, për të cilin Kamenos tha se “është ministri më i mirë i punëve të jashtme që Greqia e ka pasur”.

Partia nacionaliste ANEL ka nëntë deputetë në Parlamentin grek, dhe me ndihmën e saj qeveria e Ciprasit ka shumicë prej 153 deputetëve në Parlamentin me gjithsej 300 anëtarë.

Kirijakos Micotakis, lider i Demokracisë së Re, paradokohe i bëri thirrje Ciprasit dhe Kamenosit të japin dorëheqje për shkak se në qeveri nuk kanë qëndrim unik në kontestin me emrin.