Kadriu: Kushtëtuta obligon presidentin të nënshkruajë ligjin për përdorimin e gjuhëve


Gjykatësi Kushtetues, Osman Kadriu, tha për mediat se presidenti Ivanov është i obliguar nga Kushtetuta që të nënshkruajë ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas Kadriut nëse presidenti vendos të veprojë si herën e kaluar, atëherë me siguri ka dispozita të Rregullores së Kuvendit, Kushtetutës dhe ligjit për Parlament qe parashikojnë se si të veprohet në situata të këtilla, raporton Almakos.

Nëse do të ketë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për kushtetushmërinë e ligjit, Kadriu tha se e njëjta do të trajtohet me seriozitet maksimal.

“Për mendimin tim presidenti e shfrytëzoi njëherë të drejtën e vetos dhe tani sipas Kushtetutës të vendit, mendoj se presidenti është i obliguar ta nënshkruajë ligjin. Sa i takon situatës që mund të krijohet nëse ligji për gjuhët përsëri nuk firmoset nga presidenti Gjorgje Ivanov, jam i sigurtë se në pjesët e Rregullores së Kuvendit, të Kushtetutës dhe Ligjit për Kuvendin parashikohet se si të veprohet në rastet e tilla, që më pas ligji të mund të publikohet në Gazetaën Zyrtare dhe ligji të hyjë ne fuqi. Mendoj se në këto tre akte që përmenda ka patjetër dispozita të cilat parashikojnë, se si të veprohet nëse krijohet situata e tillë me mos firmosjen e ligjit nga presidenti. Në pozicionin që jam tani, pra Gjykatës Kushtetues, ndërsa bëhet fjalë për ligj për të cilin me siguri do të hapet procedurë në Gjykatën Kushtetuese. Nuk është me vend që unë nga ky pozicion të them nëse ligji është apo jo kushtetues. Njëherë ligji duhet të hyjë në fuqi, ora të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe më pas duhet të pritet, nëse do të ketë ndonjë iniciativë, ajo do të shqyrtohet me seriozitet maksimal. Çdo qëndrim i imi rreth kësaj teme në këtë fazë mund të interpretohet si prejudikim i vendimit, andaj nuk mund të them më shumë se kaq”, – tha Kadriu./ Almakos