Kabineti i Xhaferit: Do të shqyrtohen amendamentet për Ligjin për gjuhët


Të gjitha amendamentet për Ligjin për gjuhët, në lexim të tretë, janë përkthyer, arkivuar, përpunuar dhe vendosur në e-Parlament, bëri të ditur sot Kabineti i kryetarit të Kuvendit.

Shërbimi i Kuvendit, qëndron në kumtesë, në mënyrë të rregullt ka vepruar dhe do të veprojë në suaza të kompetencave dhe detyrimeve të tij, deri në përfundimin e plotë të procesit.

“Duke pasur parasysh numrin e madh të amendamenteve, të njëjtat nevojitet të shqyrtohen dhe të veprohet rreth tyre konform dispozitave të Rregullores për punë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, pas ç’farë Ligji për gjuhët do të shqyrtohet”, theksohet në kumtesën e Kabinetit të kryetarit të Kuvendit.

Ligji për përdorimin e gjuhëve, me të cilin avancohet përdorimi i gjuhës shqipe është në lexim të tretë dhe për të VMRO-DPMNE-ja opozitare parashtroi 35.576 amendamente. Ligji u miratua më 11 janar, ndërsa presidenti Gjorge Ivanov një javë më vonë vendosi veto të ligjit dhe deri te Kuvendi dorëzoi një sërë vërejtjesh.