Joveski: Gruevski në mënyrë ilegale ka hyrë në Shqipëri


Kryeprokurori Lubomir Joveski në një intervistë për Agjencinë Mia ka theksuar se në bazë të hetimeve të Prokurorisë Themelore Nikolla Gruevski nuk është arratisur nga Maqedonia nëpërmjet vendkalimeve zyrtare kufitare. Sipas tij prokuroria ka kontrolluar inçizimet e kamerave të sigurisë dhe ka marrë në pyetje policinë kufitare, dhe është konstatuar se në asnjë prej vendkalimeve kufitare të Maqedonisë, nuk ka shkelur këmba e Nikolla Gruevskit.

“Prokuroria ka ndërmarrë më shumë aktivitete për të siguruar prova, siç edhe ju kemi njoftuar më parë. Kemi kërkuar prova nëpërmjet ndihmës ndërkombëtare juridike nga organet kompetente të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Janë siguruar inçizimet nga kamerat e sigurisë nëpër rrugë, pika pagesore, vendkalime kufitare si dhe rreth shtëpisë së ish kryeministrit”, tha Joveski.

Sipas tij, Gruevski ka arritur në territorin e Shqipërisë nëpërmjet vendkalimeve ilegale kufitare, që shpesh, edhe banorët vendorë, i shfrytëzojnë për të dalë në qytetet fqinje, nga të cilat i ndanë vetëm kufiri. Kështu që Prokuroria ka ardhur në përfundim se nuk ka asnjë lëshim tek zyrtarët policorë të këtyre pikave kufitare.