Johanes Hahn: BE është e gatshme për Ballkanin


Bashkimi Europian gjithnjë e më shumë është i gatshëm të shqyrtojë anëtarësimin në bllok të shteteve të Ballkanit perëndimor. Bashkimi Europian gjithnjë e më shumë është i gatshëm të shqyrtojë anëtarësimin në bllok të shteteve të Ballkanit perëndimor, çka do të ndihmonte në garantimin e paqes në rajon duke pasuruar vetë BE-në, thotë komisioneri europian për zgjerimin, Johannes Hahn.
“Ka më shumë gatishmëri brenda shteteve anëtare për të adresuar zgjerimin”,- tha Hahn për të përditshmen austriake Wiener Zeitung.
Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova dhe Bosnja po kërkojnë të njëjtin status. BE-ja e sheh rajonin të rëndësishëm për çështjet si kontrollimi i migrimit dhe luftimi i kërcënimeve të sigurisë që variojnë që nga ndikimi i Rusisë e deri tek islami radikal.
“Vendet anëtare e kanë kuptuar se paqja mund të arrihet në Ballkan dhe se perspektiva e anëtarësimit në BE është jetike për të”,- tha Hahn.
Ballkani perëndimor dhe 20 milionë banorët e tij, që kërkojnë prosperitet, janë një treg shumë tërheqës për bllokun, shtoi Han, duke nënvizuar se një shtet i ri anëtar i bllokut nuk është një peshë, por një pasuri.
Komisioneri tha se nuk mbështeste idenë e një Europe me disa shpejtësi, pasi kjo do të bënte që vendet anëtare të përçaheshin. Sipas tij, duhet të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për t’i mundësuar shteteve më të dobëta të arrijnë fuqinë e Bashkimit Europian.