Jep dorëheqje drejtori i burgut të Shutkës


 Drejtori i INP “Shkup” Gjoko Kotevski, sot deklaroi se e pranon kërkesën e kryeministrit Zoran Zaev dhe do të japë dorëheqje pas  incidenteve të djeshme fizike në të cilat morën pjesë  ish ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski , të cilët janë në paraburgim  për ngjarjet në Kuvend më 27 prill të vitit 2017. Shtoi se dorëheqjen do ta dorëzojë kur të përfundojë hetimi.

“Unë jam njeri i përgjegjshëm, profesional, i përkushtuar në shërbimin dhe kur shërbimi nuk të mbështet, është e logjikshme për arsye morale dhe profesionale të jepet dorëheqje”, deklaroi Kotevski sot para burgut  në Shutkë.

Potencoi se  nga hetimi i deritanishëm i ngjarjeve të konfirmuara janë lëshimet  në veprimin dhe mosrespektimin e  protokolleve standarde të sigurisë në shërbimin për siguri në burgun “Shkup”,  për shkak të së cilës e ndërmorën përgjegjësinë.

“Përsëris se sipas dëshmitarëve dhe deklaratave të shkruara të personave  në  ngjarjen e djeshme indicentet verbale i kanë filluar  personat M.J. dhe S.R. pas së cilës fizikisht janë sulmuar. Kuptohet, për të gjitha dhunat fizike nuk ka arsyetime. Ato duhet secili t’i dënojë, secili prej nesh, dhe për atë duhet të ndërmerret përgjegjësi”,  tha Kotevski.

Ai paralajmëroi se të hënën do të përfundojë hetimi i kompletuar i brendshëm, ndërsa pastaj raporti do të dorëzohet te Ministria e Drejtësisë, te Drejtoria për kryerje të Sanksioneve dhe te kabineti i kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në pyetjen e gazetarëve, Kotevski tha se në incidentin e djeshëm M.J. dhe S.R. fizikisht janë sulmuar nga personat L.K. dhe E.S.

Kotevski tha se M.J. dhe S.R.  nuk janë shëtitur  së bashku,  por njëri  në një vend për shëtitje, ndërsa pas një ore edhe tjetri në tjetër vend për shëtitje. Ai shtoi se  këto dy persona janë akomoduar  në pavijone të ndryshme.

“Janë kryer biseda  dhe janë marrë deklarata nga personat e arrestuar të cilët ishin përfshirë në ngjarjen e pamëshirshme”, tha Kotevski.

Ai potencoi se për momentin personat e arrestuar  M.J. dhe S.R. janë akomoduar  në hapësira tjera të burgut.

Shtoi se sot janë ndërmarrë protokolle të reja dhe janë thirrur  numër  i madh i rojtarëve  të burgut  në punë.

Kryeministri Zoran Zaev sot kërkoi dorëheqje nga Kotevski pas dy incidenteve të djeshme  në oborrin e burgut  në të cilat morën pjesë  ish ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski. Zaev e dënoi aktin  dhe citoi se  pa dallim se kush është fajtor për incidentet, drejtori duhet të japë dorëheqje.