Javën e kaluar 2.429 të sëmurë nga gripi dhe katër raste të vdekjes


Gjatë javës së kaluar (prej 4 deri më 10 mars) janë regjistruar katër raste të vdekjes prej komplikimeve nga gripi, prej të cilëve dy janë nga Shkupi, dhe nga një prej Ohri dhe Tetove, të cilët kanë qenë në moshë prej 50 deri 73 vjet. Te dy persona është vërejtur sëmundje kronike paraprake. Te të gjithë të vdekurit në mënyrë laboratorike është konfirmuar virus A(H1pdm) i gripit, thuhet në raportin që sot e publikoi Instituti i Shëndetit Publik.

Gjatë javës së kaluar në vend janë paraqitur 2.429 të sëmurë nga gripi, që është për 9,3 për qind ulje krahasuar me javën para kësaj ku u regjistruan 2.678 të infektuar.

Në sezonin 2018/2019 numri i përgjithshëm i të sëmurëve nga gripi arrin 17.630, ndërsa janë regjistruar 15 raste të vdekjes të ndërlidhura me gripin, në moshë prej pesë deri 86 vjet. Te 12 persona është konfirmuar komorbiditet.

Numri më i madh i të sëmurëve që janë paraqitur javën e kaluar (1.553) janë nga grupmosha prej 15 deri 64 vjet, ndërsa incidenca më e lartë është prej 243,6 në 100.000 banorë është regjistruar te fëmijët në moshën deri katër vjet.

Këtë javë janë paraqitur persona të sëmurë prej 28 njësive . Pjesa më e madhe e të infektuarve janë paraqitur në rajonin e Qendrës së Shëndetit Publik Shkup (560), ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar në rajonin e njësisë rajonale Kavadar (601,8 në 100.000 banorë).

Sipas të dhënave të marra nga Drejtoria për shëndetësi elektronike, janë vaksinuar 19,992 persona me vaksina falas kundër gripit sezonal (persona më të moshuar se 65 vjet me pension mesatar, nën mesataren pa të ardhura) gjegjësisht 71,4 për qind nga numri i përgjithshëm i vaksinave të blera.