Janeva: “Shkupi 2014” ka më shumë kreatorë

Prokurorja speciale publike, Katica Janeva deklaroi se procedura parahetimore për “Shkupi 2014” është në rrjedhë. Është duke u zbatuar hetim financiar që duhet të tregojë se ku kanë shkuar paratë e projektit, transmeton Portalb.mk.

Në emisionin “24 analiza” të TV 24 Janeva tha se për një deri në tre muaj është e mundur të dalin me detaje në opinion për informata rreth procedurës.

Në pyetjen se pas projektit “Shkupi 2014” a qëndron një njeri ose më shumë, prokurorja tha se bëhet fjalë për “kreatorë”.

“Ka procedurë parahetimore. Lëndë të analizës janë furnizimet publike, si janë bërë urdhrat. Duam të shohim se a ka larje parash, ndërsa rrugën e parave e shohim në atë se si janë ndarë paratë në xhebat e huaj. Nuk kemi arritur te shuma prej 700 milion eurosh siç thonë disa media”, theksoi Janeva, duke shtuar se nuk mund të shtojë asgjë më shumë që të mos e komprometojë lëndën.