Janeva: Funksionarë aktualë përmenden në “bomba”, por nuk është vërtetuar kriminalizimi i tyre


Kryeprokurorja Katica Janeva po i analizon ende bisedat e përgjuara të funksionarëve, por deri më tani, nuk ka mundur të gjejë elemente inkriminuese të funksionarëve që tani gjenden në Qeveri. Gjatë fjalimit para deputetëve, Janeva pranoi se ekzistojnë biseda të përgjuara të ish funksionarëve që edhe tani janë në poste qeveritare, por se përmbajtja e tyre, e cila ende po analizohet, deri më tani nuk ka çuar tek ndonjë veprim kriminal.

Janeva kërkoi kompetencë që të ndjekë kriminalitetin dhe korrupsionin e lartë, duke propozuar që ajo të vazhdojë të veprojë në sistemin e përhershëm të prokurorisë.

“Do hapim hetime edhe për lëndë të cilat janë me interes të lartë në opinion”, u tha Janeva deputetëve në Komisionin për Sistem Politik.

Janeva përshëndeti ndryshimet ligjore për dëshmitarë të mbrojtur me të cilat ajo do jetë personi i vetëm, i cili do të dijë identitetin e dëshmitarit.

Për LSDM-në, raporti i Janevës është real dhe dëshmi se krimi po luftohet. Sipas deputetit Betijan Kitev është me rëndësi që PSP-së i janë pranuar gjithë aktakuzat dhe ekzistojnë edhe vendime gjyqësore, por përshëndeti edhe vendimet e Gjykatës së Apelit me të cilat u lejua përdorimi i “bombave” si prova në proces gjyqësor.

“Gjërat po ndryshojnë për të mirë. Shpresojmë të kthehet sundimi i së drejtës. T’i japim një mundësi funksionimit të drejtësisë dhe prokurorisë. PSP ka rol të veçantë në sundimin e drejtësisë në përgjithësi. Drejtësia nuk njeh politikë. Nevojitet konsenzus politik brenda partive për të ndihmuar punën e PSP-së dhe për të arsyetuar themelimin e PSP së që është ajo që të vërtetohet se kush dhe përse ka përgjuar në Maqedoni”, tha Betijan Kitev nga LSDM.

Por, nga VMRO DPMNE-ja nuk e vlerësuan kështu punën e Katica Janevës. Për deputetin Zoran Ilioski raporti është përpiluar në mënyrë të vakët pasi nuk ka as element themelore për buxhetin se si është harxhuar. Nuk ka as të dhëna për numrin e të punësuarve, etj. Ilioski e kritikoi Janevën, e cila paralajmëroi procedura të reja hetimore.

“Ju jepni pasiguri juridike. Para pesë ose gjashtë muajsh juve ju ka përfunduar afati për ngritjen e akuzave, ndërsa ju ende vazhdoni ta theni ligjin në mënyrë flagrante. Si ta ndjenjë unë si qytetarë atë siguri juridike kur ju si institucion e shkelni ligjin vet”, i tha Ilioski Janevës.

Zoran Ilioski më tej vazhdoi të kritikojë punësimet në periudhë të caktuar të PSP së për juristë të ndryshëm, dhe për interpretimin e së drejtës pozitive. Ilioski e pyeti Janevën nëse nuk është kompetente pasi angazhon njerëz nga jashtë për këtë lloj interpretimi juridik.

Ilioski i tha Janevës që publiku duhet ta shohë si trup të paanshëm, e jo si të afërt me LSDM-në, BDI-në ose ndonjë parti tjetër./SHENJA/