Janë kryer dy operacione ndaj vajzës 20 vjeçare, akoma në gjendje kritike


Janë bërë dy intervenime kirurgjike tek vajza 20-vjeçare e cila mori lëndime të rënda në këmbë në aksidentin tragjik me autobus, por edhe krahas kësaj gjendja e saj është kritike, deklaroi sonte Ilir Hasani, drejtor i Qendrës Emergjente dhe KARMI në kuadër të Qendrës Klinike “Nënë Tereza”.

“Vajza është në gjendje shëndetësore të rëndë, në të cilën ishte edhe para ndërhyrjes. Formuam ekip prej një traumatologu, kirurgu abdominal, anestezisti, kirurgu plastik, kirurgu vaskular dhe u vendos që të ndërmerren dy intervenime që të shpëtohet jeta e saj, gjegjësisht janë intervenime për shpëtimin e jetës.Intervenimi operativ vijoi dhe përfundoi më së miri siç ishte planifikuar. Gjendja e pacientes mbetet e njëjtë, kritike me rreziqet më të larta për mbijetimin e saj. Megjithatë, janë duke u bërë angazhime mbinjerëzore që të shpëtohet jeta e saj”, deklaroi Hasani për televizionin Kanal 5.

Ai tha se në repartin intensiv janë gjithsej katër pacientë. Njëri pacient është stabil dhe çdo moment mund të transferohet në Klinikën për Traumatologji, derisa dy pacientët e tjerë të cilët janë me lëndim torakal mbidominues, gjithashtu, janë, thotë në gjendje të rëndë dhe kritike.

“Edhe për ata çdo orë konsultohemi në mënyrë konsiliare me kolegët e kirurgjisë torakale, anesteziologji dhe traumatologji dhe çdo moment ndiqet gjendja e tyre. Megjithatë, deri në këtë moment ajo mbetet shumë kritike dhe në rrezik për jetën”, thotë Hasani.