Ivanov: Zaev po gënjen opinionin, unë nuk përkrah marrëveshjen me Greqinë


Presidenti Gjorge Ivanov demanton ashpër gënjeshtrat e kryeministrit Zoran Zaev të shpalosura gjatë intervistës për Televizionin grek ERT, se gjoja edhe presidenti do të përkrahë marrëveshjen me Greqinë, informon MEDIAL.

“Kryeministri Zaev me qëndrimet e tija konfuze, kontradiktore dhe të ndryshueshme po vazhdon të gënjejë dhe manipulojë jo vetëm opinionin vendas dhe grek por edhe atë ndërkombëtar. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian nuk guxojnë të keqpërdoren për pranimin e një marrëveshjeje të dëmshme për shtetin maqedonas dhe vetë maqedonasit”, thuhet në kumtesën e dërguar nga kabineti i presidentit të shtetit.

Presidenti i Maqedonisë nuk pranon marrëveshje e cila është e dëmshme për identitetin maqedonas dhe e dëmshme për interesat e Republikës së Maqedonisë. Qëndrimi i presidentit Ivanov është i pandryshueshëm dhe nuk do të përkulet para asnjë lloj presioni apo kërcënimi.