Ivanov për zgjidhjen e çështjes së emrit: Unë nuk jam as optimist, as pesimist, por realist me përvojë


Zgjidhja e përbashkët e pranueshme për emrin duhet ta respektojë identitetin tonë nacional. Nuk mund të bëhet ankand me identitetin e qytetarëve dhe me emrin kushtetues të shtetit, porositi presidenti Ivanov, duke folur për çështjen rreth dallimit me fqinjin tonë jugor.

Konsideron se me këtë rast, është e domosdoshme në mënyrë strikte mbajtja në kornizën në të cilën zhvillohen bisedimet – Karta e KB-së, rezolutat e Këshillit të sigurisë, Marrëveshja e përkohshme dhe aktvendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Tejkalimi i kësaj çështje, shtoi, do të ndikojë në mënyrë thelbësore në stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë rajonit, por se në këtë proces duhet të jemi të kujdesshëm.

“Për shkak të përvojës sime tetëvjeçare, unë nuk jam as optimist, as pesimist, por realist me përvojë. Realiteti është se zgjidhja për çështjen e emrit u bë peng i burokracisë së NATO-s dhe BE-së. Për këtë, zgjidhje për dallimin rreth emrit me Greqinë mund të kërkohet vetëm në kuadër të Kombeve të Bashkuara, ku jemi të barabartë”, tha në fjalimin vjetor para Kuvendit të Maqedonisë presidenti Ivanov.

Potencoi se me këtë rast duhet të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe detyrimet e ndërmarra ndërkombëtare.

Ai e përshëndeti edhe konstruktivitetin në masat për ndërtimin e besimit mes Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë dhe bëri thirrje në zgjerim të mëtutjeshëm me përmbajtje të reja. Potencoi se nevojiten edhe masa për ndërtim të besimit mes vendeve në mbarë rajonin dhe se një nga masat më të mira është ndërtimi i Kanalit ballkanik Danub-Moravë-Vardar.

“Ky kanal përgjithmonë do ta ndryshojë rajonin tonë dhe do ta përmirësojë standardin jetësor të qytetarëve. Unë qëndroj prapa kësaj ideje dhe tashmë kam biseduar me presidentin serb dhe kryeministrin grek. Për këtë, i bëj thirrje Qeverisë që sa më shpejt të formojë ekip ekspertësh, i cili menjëherë do të fillojë të punojë me autoritetet serbe dhe greke për realizimin e këtij projekti”, theksoi Ivanov në fjalimin e tij vjetor para deputetëve në Kuvend.