Ivanov e ka informuar Zaevin për kandidatin për Guvernator të BPRM


Me qëllim që Republika e Maqedonisë të ketë guvernator i cili më me përgjegjësi do ta kryejë këtë funksion të rëndësishëm, presidenti Ivanov gjatë muajit shkurt dhe mars të këtij viti është konsultuar me Lidhjen e Odave Ekonomike të Maqedonisë, me Shoqatën Bankare, me ASHAM-in dhe me institucione e individë të tjerë në këtë fushë, informojnë nga Kabineti i presidentit të Republikës së Maqedonisë në lidhje me propozimin që Dimitar Bogov sërish të jetë guvernator i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë.

Pas të gjitha konsultimeve me odat ekonomike dhe shoqata të ndryshme nga kabineti i presidentit Ivanov theksojnë se Dimitar Bogov është personalitet më cilësor, më profesionist dhe më adekuat për kryerjen e këtij funksioni dhe kandidim për mandatin e tij të dytë, shtohet nga kabineti i presidentit.

“Pas konsultimeve të bëra, presidenti Ivanov realizoi takim me kryeministrin Zaev më 26 mars të këtij viti, në të cilin presidenti i Maqedonisë e njoftoi kryeministrin për rezultatin nga takimet konsultative dhe se Dimitar Bogov do të propozohet për mandat të ri nga ana e presidentit të Maqedonisë”, informojnë nga kabineti i Ivanovit.

Nga Vila Vodno informojnë se ka vijuar edhe takimi i presidentit me guvernatorin Bogov në të cilin Ivanov ia kumtoi qëllimin e tij Bogovit se do të propozohet për guvernator të BPRM-së.

“Pasi guvernatori aktual i ka dhënë pëlqim presidentit për kandidaturën e tij të sërishme, Bogov realizoi takim me kryeministrin Zaev të cilit ia shprehu pëlqimin për vendimin e presidentit të Maqedonisë për kandidaturën e tij të sërishme. Për propozimin që Dimitar Bogov të jetë guvernator i BPRM-së, përveç Zaevit është informuar edhe lideri i opozitës, Hristian Mickovski”, thonë nga kabineti i Ivanovit.

Prej atje informojnë edhe se presidenti Ivanov në periudhën e fundit ka realizuar edhe takime me kandidatë të tjerë potencialë për vendin e guvernatorit, midis të cilëve edhe me Fatmir Besimin. Në pajtim me autorizimet e tij, presidenti Ivanov më 27 prill të vitit 2018, propozimin e dorëzoi deri tek Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Presidenti Gjorge Ivanov, sërish e propozoi Dimitar Bogov për guvernator të BPRM-së. /Art Channel/