Ish-ambasadori Arben Çejku: Pas 10 vjetësh do kemi 3 shtete shqiptare

Ish-Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni, Arben Çejku, ka dhënë deklaratën e guximshme se pas 10 vjetësh do të ketë tre shtete shqiptare në rajon.

I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku Çejku tha se në vitin 2028 parashikoj se përveç Shqipërisë dhe Kosovës do ketë edhe një shtet shqiptar, atë të shqiptarëve të Maqedonisë. “Tashmë shtet formimi i shqiptarëve në Maqedoni është një realitet dhe zhvillimet atje më bëjnë të kuptoj dhe parashikoj se pas 10 viteve do kemi shtetin e tretë të shqiptarëve”, ka thënë Çejku.

Sipas tij vërtetë ne festuam 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës por çështja shqiptare është ende e pazgjidhur plotësisht sepse ende nuk u është dhënë e drejta e tyre e plotë shqiptarëve të Maqedonisë, një faktor shumë i rëndësishëm atje. Dhe për Çejkun zgjidhja në të ardhmen është shteti i shqiptarëve. Diplomat dhe gazetar, Arben Çejku është një nga njohësit më të mirë të çështjeve të rajonit. Ai është gjithashtu zyrtari më i lartë i shtetit shqiptar që ka qenë prezent në sallën e Parlamentit të Kosovës më 18 shkurt të vitit 2008 në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.

Gjatë emisionit Çejku dha disa detaje që bëhen publik për herë të parë që kishin të bënin me situatën e atyre ditëve në Kosovë. “Ishte një situatë aq e gëzueshme por aq delikate. Kishim informacione nga më të ndryshme si për shembull kur të shpallej pavarësia e Kosovës serbët e Kosovës do të largoheshin masivisht drejt Serbisë e deri përplasjet me armë. Por më delikatja ishte situata në Luginën e Preshevës nga provokimet që mund t’u bënin shqiptuarve atje. “Unë kam zhvilluar disa bisedime sekrete në atë kohë me liderët e Luginës në mënyrë që të mos binin preh e këtyre provokimeve dhe që pavarësia e Kosovës të mos dëmtohej dhe në fakt kështu ndodhi. Pavarësia u shpall dhe asgjë nuk ndodhi. Ishte një gëzim i papëshkruar”, tha ish-ambasadori Çejku.