Intervistë, Osmani: Nuk është koha që bisedimet e emrit të mbingarkohen me referendum


Blerim Ismaili

Sipas Zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani është e mundur që gjatë shkurtit të largohet kushti nga rekomandimi nga KE për Maqedoninë.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani në intervistë për “Nezavisen Vesnik” pak para nisjes së tij për në Athinë dha mesazhin se periudha në vijim për Maqedoninë është “për të qenë ose jo”. Mes tjerash, Osmani përveç se partive politike u porositi që negociatat për çështjen e emrit mos ti keqpërdorin për pikë të përditshme politike, tha se vizita në Athinë është në drejtim të ndërtimit të besimit reciprok për zgjidhjen finale të çështjes së emrit.

Janari është muaj i rëndësishëm për agjendën euroatlantike për Maqedoninë në këtë kontekst është edhe i takimi i paralajmëruar të kryeministrit Zaev me homologun Cipras. Edhe ju do të udhëtoni në Athinë, cilët janë pritshmërit tuaja?

Osmani: Disa herë kemi theksuar se gjashtë muajt e ardhshëm janë një shans historik për Republikën e Maqedonisë për të bërë një hap serioz në agjendën euroatlantike dhe që përfundimisht të mbyllë çështjen e anëtarësimit në NATO, të hapë perspektivën e negociatave për aderim në BE. Në këtë shtrirje, ky muaj, pra, janari, është periudhë fort e rëndësishme që duhet të përmbyllet me publikimin e Strategjisë së Komisionit Evropian për Zgjerimin e BE-së 2025, që planifikohet të bëhet në fillim të shkurtit dhe ne presim që në të Maqedonia të zë vendin e merituar. Në të njëjtën kohë, në planin e brendshëm na pret një punë e madhe: implementimi i reformave në sferat kyçe që lidhen me jurisprudencën, drejtësinë, shërbimet e sigurisë si dhe me administratën publike, pa anashkaluar me këtë rast edhe fushat e tjera si media, shoqëria civile, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit e sfida të tjera të rëndësishme. Natyrisht se paralelisht me këtë po punojmë edhe për forcimin e mirëbesimit me Athinën si mundësi e vetme për krijimin e atmosferës në të cilën do të mund ta mbyllim çështjen e emrit. Kjo është një politikë e harmonizuar e Qeverisë dhe në funksion të kësaj do të jetë edhe vizita ime në Athinë.

A do të udhëtoni me propozim (emër) konkret?

Osmani: Jo. Negociatat për dallimin lidhur me emrin kanë kornizën dhe trajektoren e vet. Aktualisht, objektivi ynë kryesor është të intensifikojmë komunikimin mes Shkupit dhe Athinës, duke iu përkushtuar me këtë rast me sinqeritetit masave të krijimit të mirëbesimit mes shoqërive tona të afërta e mike. Çdo vizitë jona në Athinë, e përfaqësuesve tanë qeveritarë, dhe anasjelltas, vizitat në Shkup të kreut shtetëror në Athinë, janë kontribut pozitiv për vendosjen e marrëdhënieve më të relaksuara, të një qasje të re, pozitive, në komunikimin e ndërsjellë, që në fund duhet të rezultojë me mirëbesim të shtuar jo vetëm mes përfaqësuesve politik, por përgjithësisht me një mirëbesim më të madh mes popujve, qytetarëve, biznesmenëve, me një fjalë me një besim më të madh ndërmjet shoqërive tona. Çmoj se vetëm në një atmosferë të tillë mund të gjendet zgjidhja e përbashkët, e pranueshme, lidhur me dallimet për emrin, për çka besoj se gjatë periudhës së ardhshme do të kemi rezultat.

A qëndron BDI akoma në qëndrimin se kjo çështje mund të zgjidhet nëpërmjet shtëpisë ligjvënëse e jo me referendum?

Osmani: Ky është hapi i tretë, pasi së pari të ndërtojmë mirëbesimin dhe të harmonizojmë zgjidhjen e përbashkët, të pranueshme, për të dyja palët. Në këtë moment nuk duhet të lejojmë që çështja e referendumit të rëndojë këtë proces edhe ashtu kompleks, dhe më së paku që të keqpërdoret kjo çështje për qëllime të politikës ditore. Mendoj se ngarkimi I këtillë I procesit me elemente plotësuese ka qenë edhe në të kaluarën pengesë për përparim dhe në këtë periudhë pres pjekuri dhe përgjegjësi më të madhe nga të gjithë faktorët shoqëror me ndikim. Natyrisht se zgjidhja eventuale nuk do të jetë ad hoc, por do të ketë verifikim më të gjerë nga e gjithë shoqëria, por hëpërhë çmoj se është kundërproduktive që procesi të ngarkohet me këtë.

Mediat greke shkruajnë se pritet takim mes Zaevit dhe Cipras këtë muaj në Davos, a e përgatisni terrenin për takimin e paralajmëruar?

Osmani: Të dy kryeministrat edhe deri tash kanë pasur kontakte dhe sa jam në rrjedhë, ato po zhvillohen në atmosferë pozitive dhe në drejtim të duhur. Është me rëndësi që kemi vendosur komunikim të rregullt me Athinën. Pres që edhe në të ardhmen, këto kontakte, vizita e takime, të jenë më të shpeshta.
Cilët do të jenë hapat e mëtutjeshme pas këtij takimi?

Osmani: Sikundër theksova, deri në fund të janarit do të jemi të fokusuar në rrumbullakimin e rezultateve në fushat kryesore, para publikimit të Strategjisë së Zgjerimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2025, nga ana e Komisionit Evropian që duhet të bëhet në fillim të shkurtit. Mirëpo, implementimi I reformave dhe evitimi I barrierave politike vazhdon me intensitet të pazvogëluar deri në raportin e rregullt të Komisionit Evropian për Maqedoninë, në muajin prill, për çka duhet të mundohemi që të jetë më I miri deri tani, por puna nuk do të resht gjatë gjithë vitit. Nënvizoj se reformat janë pjesë e procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE dhe ky proces ka për të zgjatur me vite. Heqja e rekomandimit të kushtëzuar është e mundshme të bëhet edhe më herët, qysh në shkurt, por gjithsesi se kjo duhet të përmbyllet me Deklaratën konkrete në samitin historik të Këshillit të Evropës lidhur me zgjerimin, që do të mbahet në muajin maj në Sofje, me çka do të betonohej perspektiva evropiane e Maqedonisë, por edhe e vendeve të tjera nga Ballkani Perëndimor. Në fund të këtyre gjashtë muajve, në qershor është Këshilli i radhës i Bashkimit Evropian nga i cili, konform suksesit të procesit, presimin edhe vendimin e Këshillit të Evropës për fillimin e negociatave për anëtarësim me të drejta të plota në familjen evropiane.