Intervistë, Lubomir Fërçkovski: Koha për emrin është tani


z.Fërçkovski pse është krijuar përshtypja se tani është momenti i duhur për zgjidhjen e çështjes së emrit, duke e pasur parasysh se për këtë çështje kemi negociuar më se 20 vite tashmë?

Në planin ndërkombëtar mendoj se gjeostrategjia e NATO-s dhe SHBA-ve, që janë miqtë tonë strategjik është e atillë që duan ta mbyllin konceptin e çështjeve të hapura, të pazgjidhura në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe këtu Maqedonia është kyçe. Kjo është e para. Së dyti, ne e bëmë “detyrën tonë të shtëpisë” rreth ndryshimit të asaj që e quajmë “periudhë të qeverisjes autoritare” me të cilën Maqedonia ngeci, me të cilën i humbi pozitat e saja në planin ndërkombëtar; i forcoi marrëdhëniet me fqinjët, jo vetëm me Greqinë por thuajse me të gjithë. Dhe këtë e bëri në mënyrë dramatike. Nuk duhet të jemi modest, kjo ishte e rëndësishme. Kjo është ajo që është momenti i ri. Në këtë moment, sigurisht ka edhe pjesë të tregimit nga pala greke. Qeveria e Ciprasit, po ashtu, disa hapa rreth disa vendimeve që duhet t’i bënte atje për kontestin, i bëri me ato deklarata publike. Dhe atë element të huajt relevant në rajon, para së gjithash, e shfrytëzuan për presion.

Negociatat për emrin tashmë kanë hyrë në fazën serioze, ashtu që nga 7 propozimet fillestare tani po bisedohet për 4 propozime, për të cilat dimë vetëm se përmbajnë përcaktues gjeografik. Si do t’i komentonit ju këto propozime që po qarkullojnë nëpër media dhe cili është mendimi juaj rreth pozitave të kundërta të Athinës e Shkupit për sa i përket formës së emrit të ri?

Mendoj se Maqedonia e Epërme ose Veriore janë variantet më seriozë në tavolinë. Por në secilin rast, dy fjalë, Maqedonia dhe E epërme ndaras, Maqedonia dhe Veriore ndaras. Kombinim tjetër, mendoj se nuk është lëndë e bisedave serioze. Mbase numri më i madh i shteteve do ta ndjekin këtë emër të ri, por marrëveshja mes nesh dhe Greqisë sipas të drejtës ndërkombëtare nuk mund të obligojë palë të tretë, një shtet të tretë të bëjë diçka. Ai shtet mund ta pranojë atë (emrin e ri), mund ta refuzojë… Disa shtete mund të vazhdojnë të na quajnë sipas emrit kushtetues e disa mund të përdorin edhe një emër të tretë. (10:30-11:11) Pra këtu, ky problem te erga omnes ekziston. Por mendoj se do të jetë minor, kjo do të ndodhë me një numër të vogël shtetesh. Përndryshe, marrëveshja mes nesh dhe Greqisë është më e fuqishme sa i përket rëndësisë dhe garancisë për atë që arrihet marrëveshje sesa kërkesa eventuale e ndryshimit të Kushtetutës tek ne. Kushtetutën ne mund ta ndryshojmë kur të duam, kur të vendosim, ajo në themel është akt i brendshëm juridik, akt më i lartë juridik. Ajo nuk i jep kurrfarë garancie vendit tjetër se pas dy vitesh nuk mund ta ndryshojmë Kushtetutën. Marrëveshja është ajo që atyre iu jep garanci, pasi marrëveshjen nuk mund ta ndryshojmë me Kushtetutë ose me sulm ndaj marrëveshjes përmes Gjykatës Kushtetuese.

Pikërisht identiteti dhe ndryshimet kushtetuese janë dy çështjet për të cilat po debatohet gjerë në opinion. A mendoni se do të duhet që këto dy çështje të qartësohen bashkë me emrin e ri të vendit tonë në këtë kontratë ose në këtë marrëveshje për të cilën po flisni?

Në këtë koncept të të negociuarit për gjithçka për ne është më e rëndësishme të sigurojmë identitetin që shkon përmes gjuhës dhe kombësinë si maqedonase. Kam përshtypjen se kjo gjë në një farë mënyre është siguruar me atë paketë, prandaj thjeshtë paketa është e mundur. Nëse aty ka krizë mendoj se nuk do të ishte e mundur të negociohej në asnjë mënyrë. Pra aty ka ndonjë zgjidhje që për ne është e qëndrueshme, që do të thotë se termi “maqedonase” përdoret për gjuhën. Presioni ndaj Kushtetutës është arrogancë nga ana e Greqisë, mbase edhe qëndrim populist i brendshëm për përdorim të tyre të brendshëm, por mendoj se nuk do të ushtrojnë presion të këtillë që ta ndryshojmë Kushtetutën, për shkak se kjo realisht mund t’i çojë negociatat në krizë. Në Maqedoni nuk do të pranohet ndryshim i Kushtetutës.

Si e komentoni ju Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë dhe cilat mendoni se janë dobitë tona nga kjo Marrëveshje dhe nga kjo marrëdhënie e re e krijuar me Bullgarinë, pikërisht në këtë moment që Bullgaria kryeson me Bashkimin Evropian?

Absolutisht është gjest progresiv. Realisht këtë është dashur ta bënim shumë më herët. Në thelb, marrëveshja nuk ka elemente kontradiktore, që në një farë mënyre do të hidhnin hije mbi çfarëdo lloj problemi tonin të brendshëm dhe problem identiteti. Njëkohësisht në një plan strategjik dhe gjeostrategjik neve kjo na duhet veçanërisht shumë, sepse linja, korridori Lindje-Perëndim na është i pazhvilluar, dukshëm nën korridorin veri-jug. Ndërsa që Maqedonia të bëhet shtet i rëndësishëm dy korridoret do të duhet të balancohen, së paku njësoj./Alsat-M/