Interpelanca e Oliver Spasovskit nuk kaloi në Kuvend


Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sonte me 59 vota “kundër”, 20 vota “pro” dhe pa abstenim nuk e votoi interpelancën e shtruar nga opozita për ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Debati u zhvillua në drejtim të qëndrimeve të kundërshtuara midis pozitës dhe opozitës për cilësinë e punës së ministrit Spasovski, sa është ai kompetent dhe sa u përgjigjet sfidave me të cilat ballafaqohet në Ministri.

Në interpelancë, deputetët e VMRO-DPMNE-së kërkuan përgjegjësi nga Spasovski për punën, siç thanë të pandërgjegjshme, joprofesionale dhe selektive. Sipas tyre, puna joprofesionale nga MPB ka çuar drejt skandaleve, korrupsionit, ndërsa siç theksuan, qytetarët kanë qenë viktima të vjedhjeve, tentimeve për vrasje, dhunës etj.

Opozita e akuzoi Spasovskin për tenderë të paligjshëm për automjete në MPB, për nepotizëm, për arrestimin selektiv të anëtarëve të VMRO-DPMNE-së dhe oponentëve.

Pushteti është me qëndrimin se Spasovski është profesionist, i cili me përkushtim i plotëson obligimet e veta si ministër i Punëve të Brendshme.

Trajço Dimkov nga VMRO-DPMNE tha se nuk kalon një ditë pa ndonjë skandal në MPB, është rritur korrupsioni ndërsa qytetarët nuk ndjehen të sigurt. Theksoi se një prej skandaleve më të mëdha në Ministri është përgjimi i prokurorëve.

Ministri Spasovski tha se mjaftueshëm kanë polemizuar me deputetët rreth argumenteve në pjesën e interpelancës. Ai i replikoi opozitës se për ta më e mirë ka qenë koha kur Gruevski ka qenë në pushtet dhe kur kanë votuar pa bërë fjalë për krimin.

“Unë këtë mandat e kam marrë nga Kuvendi dhe do të jem këtu derisa ky Kuvend të vendos. Keni mundësinë ta përfundoni këtë çështje dhe ta votoni interpelancën, ndërsa nëse jo atëherë do të duhet të duroni derisa për një gjë të tillë vendos Kuvendi”, i porositi Spasovski deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Seanca për interpelancën e Spasovskit filloi sot në mesditë, në kuadër të seancës së 86-të. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i dha tre pushime gjatë debatit.