Institucionet që duhet të shuhen


Pas tetë muajsh qeverisje ngadalë por sigurtë po bëhet e qartë se Qeveria e re nuk po mund të përmbushë pritjet që kanë patur votuesit prej saj. Realisht duket se ajo ka arritur njëfarë rezultati në sferën e politikës së jashtme, por një elan i tillë mungon dukshëm në çfarëdo lëmi që ka të bëjë me punët brenda shtetit. Gjithkund vazhdon avazi i vjetër dhe vazhdojnë të ndiqen politikat e qeverisë së kaluar, me fytyra të ndryshme por pa politika që do t’i dallonte nga paraardhësit. E shkaku kryesor është se as kjo qeveri nuk guxon të nisë reformën e përgjithshme të vendosjes së shtetit karshi shoqërisë, që do të thotë se nuk adresohen problemet sistematike që janë gjeneratorë kryesorë të krizave nga pavarësimi këndej.

Ndër gjeneratorët kryesorë që lënë pasoja direkte në çdo aspekt të jetës në Maqedoni, do të veçoja problemin e administratës së stërngarkuar dhe centralizimit të skajshëm të shtetit. Në vend të shërbimit adekuat që do duhej të jepte për shoqërinë i pari është shndërruar në mekanizëm kryesor të kontrollit të shoqërsië nga shteti. Më tej përzierja e tepërt e shtetit në çdo sferë, dimension tjetër i administratës së ngarkuar, kërkon dhe thith resurse gjigante, duke lënë veç thërrime për të investuar aty ku duhet. Më e keqja është se një pjesë e majme e këtyre resurseve harxhohen kot ose thjeshtë keqpërdoren. Nga ana tjetër centralizimi i skajshëm koncentron pushtetin në fare pak duar, e kjo është receptë e qartë për tendenca tiranike që asnjë pushtetmbajtës deri tani nuk ju ka rezistuar. Ai i ka lënë krejtësisht të pafuqishme dhe i ka shndërruar në lypës të gjitha nivelet tjera të pushtetit si vetëqeverisjen lokale. Të njëjtën ka bërë edhe me sektorin privat.

Prandaj cilado qeveri që do dojë të bëjë reforma të vërteta herët a vonë do të duhet të adresojë këto dy probleme sistematike të pushtetit. Në praksë kjo do të thotë se ajo do duhet të udhëhiqet nga parimi i thjeshtë: “pushteti lokal të bëjë atë që s’mundet t’a bëjë sektori privat, pushteti qendror atë që s’mundet pushteti lokal”. Në përkthim kjo do të thotë se shteti, gjegjësisht qeveria si bartëse e pushtetit qendror, do duhet të tërhiqet nga disa sfera. Një pjesë të tyre ajo do duhet t’ia kalojë pushtetit lokal dhe instancave tjera, ndërsa një pjesë t’a kalojë nga sektori publik në privat.

Lista e institucioneve që duhet të shuhen në këtë mnëyrë mund të jetë tejet e gjatë dhe e larmishme. Qeveria ka futur hundët ku ka mundur dhe institucionet e saj janë shumuar si këpurdha pas shiut, saqë bërja e një liste konkrete kërkon studim në vete. Megjithatë janë ca institucione kotësia e të cilave bie në sy shpesh dhe menjëherë, saqë nuk duhet shumë mend për të parë arsyet pse ato nuk duhet të ekzistojnë. Këtu unë do të veçoj tre prej tyre.

1. Ministria e Kulturës. Kultura thjeshtë nuk është sferë që i përket shtetit; ajo është fenomen shoqëror dhe jo shtetëror. Si institucion kjo ministri është mbeturinë nga epoka e komunizmit kur kultura shfrytëzohej si mjet propagande. Po kështu ka ndodhur edhe më vonë, ndërsa rastin më të freskët e kemi projektin Shkupi 2014, një shembull i pastër i manipulimit të kulturës për qëllime propagandistike. Ai projekt poashtu është shoqëruar me keqpërdorime marramendëse, ndërsa rasti me programin e fundit të kësaj ministrie tregojnë se nepotizmi dhe keqpërdorimi i paparë i resurseve të kësaj ministrie nuk kanë të ndalur as pas ndërrimit të pushtetit dhe rrënies së regjimit.
Kultura është shembull klasik i një sfere që duhet të adresohet në nivel lokal dhe jo qendror. Shpëtimi i vetëm i saj nga kthetrat e qeverisë është shuarja e plotë ministrisë. Mjetet e parapara për kulturë duhet t’iu shpërndahen komunave në përpjestim me numrin e banorëve, e pastaj ata të lihen të bëjnë ç‘të duan me ta. Përfaqësimin e shtetit në organizata botërore të kulturës mund t’a bëjë direkt qeveria.

2. Televizioni shtetëror. TVM është një mbeturinë tjetër nga një epokë e kaluar. Infrastruktura e komunikimit dhe krijimi i informacionit në ato kushte teknologjike ka qenë shumë më i rëndë dhe shtrenjë dhe domosdo ka kërkuar resurset e shtetit. Përveç kësaj kemi jetuar në komunizëm, kur pushteti ka dashur kontroll të plotë mbi informimin dhe nuk ka patur ndonjë dëshirë t’a ndajë atë me lojtarë tjerë mediatik.
Në kushtet e sotme teknologjike, kur edhe një profil facebook-u mund të shërbejë për transmetim live dhe sidomos kur kemi një sëri kanalesh tjera informimi me programe më cilësore, nevoja për televizion shtetëror është tejkaluar. Sot ai nuk sjell asnjë vlerë shtesë për shoqërinë, madje është thithës i pangopur parash që projektohet të shpenzojë deri 30 milion Euro në vit pas nja dy viteve.

Zgjidhja më e mirë është privatizimi i këtij televizioni. Çfarëdo çmimi që do fitohej do të ishte i arsyeshëm vetëm për faktin se privatizimi do na kursente 30 milionë Euro në vit. Besoj se gazetarët dhe punëtorët tjerë të regjur të këtij televizioni nuk do t’a kishin vështirë të gjinden me pronarët e rinj ose në televizione tjera. Informatat me interes publik që nuk janë profitabile për televizionet privat mund të financohen në forma tjera nëpërmjet projekteve të ndryshme. Mund të ruhet vetëm Kanali i Parlamentit, i cili edhe ashtu nuk kërkon shumë fonde dhe nuk bën shumë harxhime.

3. Akademia e Shkencave dhe Arteve. Ky institucion jo vetëm që nuk bën punë të dobishme, por edhe bën dëm. Ai propozoi ndarjen e shtetit në vitin 2001, botoi enciklopedinë skandaloze që u bë mollë sherri për marrëdhëniet ndëretnike, heshti për përgjimet, tërhoqi orën e borxhit nga sajti pas urdhërit nga qeveria e regjimit e të tjera. Rast pas rasti Akademia ka dëshmuar se është institucion krejtësisht oportunist dhe pakurrizor. Mentaliteti i saj është mentalitet tipik i intelektualëve të oborrit, që mbi të gjitha vendosin përkuljen ndaj pushtetit. Prandaj nuk ka asnjë arsye pse ky institucion duhet të vazhdojë të funksionojë dhe harxhojë paratë tona. Projektet relevante siç janë ata të shkencave ekzakte mund të realizohen nëpër universitete.

Siç thashë edhe më lartë lista nuk është ekskluzive. Veçova këto institucione sepse nuk do shumë mend për të parë kotësinë e tyre. Kur ndonjë qeveri të merret seriozisht me reforma dhe mos konsiderojë shuarjen e ndonjë institucioni si tabu-temë, lista padyshim do të jetë shumë më e gjatë.

Robert Nesimi