Insistimi i Ali Ahmetit për zgjidhjen e emrit


Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti thotë se qeveria e Maqedonisë është reformuese dhe beson se “në kuadër të këtyre reformave përfundimisht do të zgjidhet problemi 25-vjeçar mes Shkupit dhe Athinës”.

“Ne jemi vend pa emër, kemi një emër të përkohshëm, IRJM. Në praktikë po tentojmë përfundimisht të kemi një emër normal me negociatat që po zhvillohen”, thotë Ahmeti.

Lidhur me atë nëse BDI do të mbështesë, nëse nevojiten edhe ndryshime kushtetuese, Ahmeti thotë se ata janë të gatshëm ta mbështesin procesin deri në zgjidhjen përfundimtare.

“Gjithsesi, ne e mbështesim përparimin. Do të jetë arritje e madhe, nëse përfundon me sukses ky kapitull. Do të na lehtësojë shumë, nga diçka që me vite po na rëndon. Ne jemi të gatshëm. Edhe në të kaluarën kemi qenë të gatshëm për ta mbështetur procesin deri në zgjidhjen përfundimtare, sepse na intereson shumë integrimi i vendit në NATO dhe BE”, thotë Ahmeti, sipas televizionit grek.

Episodi i mbrëmshëm i emisionit “Istories” iu kushtua bisedimeve për emrin, ndërsa gazetari përmes reportazhit nga Shkupi, i transmeton pozicionet edhe të politikanëve të Maqedonisë, por edhe qëndrimet e të rinjve nga Maqedonia lidhur me kontestin mes dy vendeve fqinje.