IBNA: Takim Dimitrov – Koxias në Sofje më 15 dhe 16 shkurt


Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe të Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, do të takohen në Sofje me datë 15 dhe 16 shkurt, në margjina të takimit joformal të shefave të diplomacive të vendeve nga BE-ja dhe shteteve kandidate për anëtarësim, publikoi Agjencia e Pavarur Ballkanike e Lajmeve – IBNA.

Pritet që Dimitrov dhe Koxias të bisedojnë për hapat e ardhshëm në procesin e zgjidhjes së kontestit me ermin mes dy vendeve.

Dje kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, paralajmëroi se javën e ardhshme duhet të mbahet takim i ri i shefave të diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Dimitrovi dhe Koxias me ndërmjetësuesin e KB-së ,Methju Nimic.

Paralajmërimet për intensifikimin e procesit për zgjidhjen e çështjes së emrit vijojnë pas deklaratave të fundit të Zaevit se Shkupi mund të pranojë përcaktim gjeografik, si dhe Qeverisë së Athinës se mbetet në mënyrë aktive e angazhuar në proces.