Hiseni: Jam i turpëruar nga akti kriminal i bërë nga ana e huliganëve të cilët i takojnë etnikumit të cilit i takojë edhe unë


Kryetari i Shoqatës së veteranëve të luftës të UÇK-së, Daim Hiseni ka dërguar ngushëllime deri te familja e Nikolla Sazdovskit, ku ka theksuar se ndjehet i turpëruar nga akti kriminal i bërë nga ana e huliganëve të cilët i takojnë etnikumit të tij.

“Jemi të vetëdijshëm se djalin tuaj nuk mund ta kthejmë, por drejtësia për vdekjen e tij kërkojmë që të shkojë deri në fund. Jeta është e njëjtë për gjithkënd, e fëmija është gjëja më e shenjtë në familje. Jam i turpëruar nga akti kriminal i bërë nga ana e huliganëve të cilët i takojnë etnikumit të cilit i takojë edhe unë”, tha Hiseni.

Nikolla Sazdovski ka vdekur nga lëndimet në tru. Këtë e ka treguar raporti i ekspertizës mjekoligjore i cili sot është dorëzuar në Prokurori.

Tre sulmuesit e tij të moshës 19, 20 dhe 21 vjeç për momentin akuzohen për dhunë. Dy prej tyre gjenden në paraburgim, ndërsa për të tretin policia ende është në kërkim.

Nikolla Sazdovski më 29 qershor fizikisht ishte sulmuar nga tre persona të panjohur në stacion të autobusëve në lagjen Autokomandë. Policia e sqaroi ngjarjen. Tre nga sulmuesit kanë dalë nga një automobil dhe e kanë sulmuar djaloshin i cili pas dhjetë ditëve në gjendje kome, dje ka ndërruar jetë në njërin nga spitalet e Shkupit. Sazdovski ishte anëtarë i grupit të tifozëve “Komitët”. Sot shokët e tij nga tribunat për nder të jetës së shuar para kohe, në mënyrë të organizuar shkuan në varrimin e tij.